A mund ta marrim një fitore?

11/10/2014 00:00

Vetëm pak orë na ndajnë nga ndeshja e shumë pritur ndaj Danimarkës, ku kombëtarja jonë e futbolli do të bëjë maksimumin për të arritur te fitorja aq e dëshiruar nga të gjithë.

Elert Yzeiri, opinionist sportiv, njëkohësisht drejtor i informacionit në “Top News” ka folur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” duke u shprehur mjaft optimist në lidhje me një rezultat pozitiv në këtë sfidë të kombëtares.

Ai ka thënë se ndeshjet e zhvilluara jashtë kryeqytetit kanë qenë me fat për kombëtaren kuqezi.

“Jo vetëm në ndeshjet miqësore, por edhe në ndeshjet zyrtare kombëtarja ka arritur të marrë rezultate pozitive kur ka luajtur jashtë “Qemal Stafës”. Në vitin 2004 kemi arritur një fitore madhështore ndaj Rusisë me rezultatin 3-1 në “Loro Boriçi”, tha Yzeiri.

Duke iu referuar përbërjes së skuadrës dhe gjendjes që po kalojnë lojtarët, Yzeiri është shprehur se kemi mjaft shanse për një rezultat pozitiv, por në anën tjetër ka shtuar se me skuadrat nordike ne hasim vështirësi.

“Momentalisht kemi një skuadër me futbollist të fizikshëm dhe me kondicion të mirë, të cilët luajnë në skuadra me nivel të lartë. Do të veçoja portierin Berisha, i cili është një nga elementët kryesorë të skuadrës, por edhe mbrojtja me Canën dhe me Mavrajn është e kompletuar. Ajo që unë e quaj pikë të dobët në një përballje ë tillë, veçanërisht me Danimarkën është fakti që ne me skuadrat nordike hasim vështirësi”, u shpreh Elert Yzeiri.

Drejtori i “Top News” ka zbuluar edhe një deklaratë të trajnerit De Biasi, i cili ka thënë se do të ishte i kënaqur nëse do të merrte dy pikë në dy ndeshjet e ardhshme, duke iu referuar sfidës në “Elbasan Arena”, si edhe përballjes historike në Beograd ndaj Serbisë.  

“Në rast të një fitoreje ndaj Danimarkës, mjafton që më pas të luajmë për fitore vetëm në ndeshjet brenda dhe jemi në zonën e kualifikimin”, ka thënë Yzeiri.

“Digitalb Arena” në Elbasan

Tifozëve të zjarrtë të kombëtares shqiptare përveç stadiumit “Elbasan Arena” i jepet një tjetër mundësi për të ndjekur ndeshjen në një atmosferë festive. Digitalb sponsori zyrtar i kombëtares do të organizojë një transmetim maratonë nga qendra e qytetit të Elbasanit.

Elert Yzeiri ka zbuluar detaje të këtij organizimi. Transmetimet do të fillojnë që në orën 10:00 në sheshin “Gensher”. Uniforma të ekipin tonë kombëtar me numër 12 dhe të firmosura nga 26 lojtarët e kombëtares do të shpërndahen për të pranishmit.

Gjithashtu në këtë organizim të Digitalb do të ketë këngëtarë të ftuar si edhe shumë personalitete të sportit.

Rreth orës 19:30 kur të ketë nisur edhe hyrja e tifozëve në stadium do të bëhet një shfaqe tjetër në ambientet e “Elbasan Arena”.

Për të gjithë ata të cilët nuk do të kenë mundësi të jenë në “Elbasan Arena”, apo në “Digitalb Arena” kjo ndeshje do të transmetohet edhe në Supersport. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA