Ja pse Fullani duhet të kthehet në burg

10/10/2014 00:00

Për prokurorinë, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani vijon të mbetet një shqetësim për dëmtimin e provave e po ashtu konsiderohet si person me rrezikshmëri.

Në rekursin që Top Channel disponon e që është depozituar në Gjykatën e Lartë, organi i akuzës jep shkaqet se përse kërkon prishjen e vendimit të Apelit dhe kthimin në burg të Fullanit.

Duke radhitur kushtet dhe kriteret se përse ish-guvernatori duhet të lërë arrestin shtëpiak dhe të kthehet në paraburgim, prokuroria thotë se kushti i parë ekziston, pra ka një dyshim të arsyeshëm dhe të bazuar në prova se ish-guvernatori ka shpërdoruar detyrën.

Personi nën hetim Ardian Fullani, vijohet më tej, është madhor, çka e bën atë përgjegjës për veprën penale e gjithashtu nuk ekzistojnë shkaqe padënueshmërie të veprës për të cilën akuzohet personi nën hetim.

Kushti i tretë, i thonë prokurorët Gjykatës së Lartë, ka lidhje me ekzistencën e nevojës për masë sigurimi personal. Kjo nevojë ekziston, shprehen prokurorët, pasi personi nën hetim Ardian Fullani mund të dëmtojë procesin e marrjes apo të vërtetësisë së provave, për faktin e detyrës që ka patur si guvernator i Bankës së Shqipërisë.

“Ne e kërkojmë arrestin me burg si një masë të përshtatshme pasi ajo garanton nevojat që lidhen me rrezikun që paraqet Fullani si guvernator për të dëmtuar procesin e provave”, thonë prokurorët.

Për këtë ata nënvizojnë se mbajnë parasysh faktin që proçedimi penal konsiderohet shumë i rëndë, referuar jo vetëm sanksionit që parashikohet për veprat penale, por edhe impaktin që ka patur ajo në shoqëri.

Personi nën hetim Ardian Fullani, thuhet në rekurs, rrjedhimisht paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, prandaj mendojmë se masa e sigurimit “arrest me burg” është më e përshtatshme nga çdo masë tjetër e sigurimit personal.

Por prokurorët hedhin dritë edhe mbi një detaj tjetër që ka lidhje me përbërjen e trupës gjyqësore. “Kur është gjykuar çështja në ngarkim të të dyshuarit tjetër Gentian Jahja, kane marrë pjesë” – thonë prokurorët – “edhe avokatët Maksim Ostreni dhe Bojken Bendo”.

Për prokurorinë, pjesëmarrja në masën për Fullanin e gjyqtarit Agim Bendo, në një kohë që ai është babai i avokatit që përfaqësonte një të bashkëpandehur tjetër, është një pengesë ligjore, çka do të thotë se ai për prokurorinë nuk duhet të ishte në trupën që shpalli masën për Fullanin. Për prokurorinë, pjesëmarrja e Bendos në këtë trupë gjyqësore e vë në dyshim paanësinë e Gjykatës së Apelit.

Top Channel