Hong Kong, të rinjtë mbushin sërish rrugët

10/10/2014 00:00

Mijëra njerëz janë mbledhur në zonën financiare të Hong Kongut pas thirrjes së liderëve të protestave për të treguar forcën.

Lëvizja vjen pasi numri dy i qeverisë së territorit anuloi bisedimet me liderët studentorë të planifikuara për këtë të premte.

Carrie Lam deklaroi se refuzimi i studentëve për t’u dhënë fund protestave e bëjnë të pamundur zhvillimin e një dialogu konstruktiv.

Protestuesit, të cilët kërkojnë zgjedhje tërësisht demokratike në vitin 2017, paralizuan arterjet kryesore të Hong Kongut në javët e fundit.

Përgjatë javës vetëm pak qindra protestues, shumica e të cilëve studentë, mbetën në rrugët përreth lagjes financiare dhe asaj qeveritare, Admiralty.

Por, pasi bisedimet u anuluan, liderët e lëvizjes studentore u bënë thirrje mbështetësve që të kthehen sërish në rrugë.

“Ejani të pushtojmë rrugët përreth zonës së godinave institucionale, ejani të ngrini tendat tuaja për të treguar vendosmërinë tonë për një aksion afatgjatë”, deklaroi Joshua Wong, 17-vjeçari që ka themeluar Lëvizjen Shkollore.

Ndërkohë, e dërguara e BBC në Hong Kong, Juliana Liu thotë se aktivistët shpresojnë se një tregues i forcës së tyre do të jetë e mjaftueshme që protesta të sigurojë mbështetje të gjerë.

Të premten pas mesdite, mijëra persona mbushën lagjen Admiralty. Shumë prej tyre mbanin në duar tenda dhe furnizime ushqimore, që tregonin se do të qëndrojnë gjatë atje.

Protestuesit kërkojnë që të mund të votojnë dhe të zgjedhin direkt ata liderin që do të udhëheqë ishullin në zgjedhjet e 2017-s.

Kina ka deklaruar se, në bazë të ligjeve të Hong Kongut, votuesit do të mund të votojnë të lirë, por në bazë të një liste të miratuar nga një komitet i posaçëm.

Top Channel