Ebola në Shkup, zbehen dyshimet

10/10/2014 00:00

Pas analizave të para, autoritetet shëndetësore në Shkup kanë dalë këtë të premte me vlerësimin se janë të vogla shanset, që shtetasi britanik i cili ndërroi jetë një ditë më parë të ketë qenë i prekur nga virusi Ebola.

Mostrat e gjakut të tij janë dërguar të premten në një laborator në Gjermani, ndërsa rezultatet priten që të merren të shtunën në mbrëmje, kur edhe do të mësohet nëse i ndjeri ishte i prekur apo jo nga virusi Ebola.

“Autoritetet shëndetësore janë të mendimit se janë të vogla shanset për prani të virusit Ebola. Megjithatë, do të ishte gabim i madh nëse e konstatojmë këtë pa marrë rezultatet nga laboratori. Prandaj, pa marrë konfirmin nga laboratori në Hamburg të Gjermanisë, ne si autoritete shëndetësore jemi të detyruar të veprojmë në mënyrë të kujdesshme dhe t’i ndërmarrim të gjitha masat e parashikuara në protokollin botëror”, tha Jovanka Kostova, nga Ministria e Shëndetësisë.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se, në mesin e 25 personave që ndodhen të izoluar në hotelin ku qëndronte britaniku, nuk ka dyshime për ndonjë person tjetër të prekur nga virusi Ebola. Edhe te miku i tij janë vërejtur simptoma të tilla. Në karantinë ndodhen edhe dhjetë anëtarë të personelit mjekësor, që kanë pasur kontakt me pacientin.

“Në hotelin ku ka qëndruar pacienti, ekipet mjekësore janë në kontakt të vazhdueshëm me personat që ndodhen në karantinë dhe po ndiqet në vazhdimësi gjendja e tyre shëndetësore. Sistemi shëndetësor në Maqedoni është në gjendje gatishmërie, që të ballafaqohet me të gjitha situatat”, tha Jovanka Kostova.

Trupi i pajetë i 58-vjeçarit, që dyshohet të ishte prekur nga virusi Ebola, ndodhet në klinikën infektive të Shkupit, në një hapësirë speciale. Para hotelit ku ka qëndruar britaniku, përveç policisë, vërehen edhe shumë gazetarë nga vende të ndryshme të botës, që raportojnë për këtë ngjarje.

Top Channel