Missouri, rikthehen trazirat, tjetër vrasje

09/10/2014 00:00

Një oficer policie në St Louis të Missourit, duke qenë jashtë orarit të punës, ka qëlluar për vdekje një adoleshent me ngjyrë, duke nxitur sërish demonstrata të ashpra nëpër rrugë, ashtu sikurse pak muaj më parë.

Oficeri i bardhë ishte në patrullim për një kompani sigurie private, kur shkëmbeu zjarr me 18-vjeçarin pas një ndjekjeje, bën të ditur policia. Ai kishte qëlluar 17 herë ndaj adoleshentit në fjalë.

Dy muaj më parë, të shtëna fatale në periferinë e Missourit, Ferguson, shkaktoi javë të tëra trazirash, të cilat morën titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare. Michael Brown, 18 vjeç, ishte i paarmatosur kur u qëllua për vdekje sërish nga një oficer i bardhë, i cili mund të përballet me akuza kriminale.

Incidenti i fundit nisi kur oficeri me uniformë pikasi 3 persona që po largoheshin me vrap nga ai, në rajonin periferik Shaw, bëri të ditur shefi i Policisë së St Louis, kolonel Sam Dotson.

Oficeri 32-vjeçar kishte menduar se njëri prej tyre ishte i armatosur, kështu që e ndoqi atë dhe më pas nisi konfrontimi. Gjatë debateve me fjalë, personi qëlloi ndaj oficerit dhe ky i fundit u kundërpërgjigj duke e lënë të vrarë, tha Dotson.

Nga provat balistike mësohet se adoleshenti qëlloi 3 herë ndaj oficerit, përpara se arma e tij të bllokohej, armë që u gjend gjithashtu si provë në vendngjarje. Ndërkohë, oficeri që i shpëtoi plagosjes, kishte qëlluar plot 17 herë, tha Dotson.

“Një hetim do të vendosë nëse sjellja e oficerit ishte e përshtatshme apo jo”, tha ai në një konferencë për shtyp gjatë orëve të para të së enjtes. Ndërkaq, emrat e adoleshentit dhe oficerit nuk janë publikuar ende.

Disa orë pas ngjarjes, turma njerëzish janë mbledhur në vendngjarje, duke bërtitur “duart lart, mos qëlloni”, por kanë shkatërruar edhe disa makina policie. Ende asnjë i arrestuar.

Top Channel