“MH17”, një pasagjer me maskë oksigjeni

09/10/2014 00:00

Ministri i Jashtëm holandez, Frans Timmermans ka deklaruar se një nga 289 pasagjerët e vrarë nga rrëzimi i avionit të “Malaysia Airlines” në lindje të Ukrainë mbante një maskë oksigjeni.

Zbulimi i ministrit ngre dyshime mbi teorinë se të gjithë personat në bordin e mjetit fluturues humbën jetën menjëherë kur avioni u godit nga një raketë.

Një raport fillestar i publikuar muajin e kaluar thoshte se, “fluturimi MH17 shpërtheu në ajër pasi ra në kontakt me disa objekte që e goditën atë me shpejtësi të lartë”.

Përgjegjësia për këtë ngjare i atribuohet separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, të cilët nga ana e tyre mohojnë ta kenë qëlluar avionin.

Zoti Timmermans pritet të lërë postin e tij si ministër i Jashtëm për një post më të lartë, atë të krahut të djathtë të presidentit të ri të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

Ai e përmendi maskën e oksigjenit në një intervistë për televizionin publik holandez, në të cilin iu kërkua të komentonte fjalimin e mbajtur në OKB katër ditë pas tragjedisë, më 17 korrik.

Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit, Timmermans kishte thënë: “Imagjinoj tmerrin që përjetuan pasagjerët kur mësuan që avioni i tyre po rrëzohej dhe pyes veten nëse e panë njëri-tjetrin në sy për një herë të fundit”.

I pyetur të mërkurën mbrëma nëse ai kishte imagjinuar një moment që nuk kishte ndodhur, ai u përgjigj: “Ashtu? Jeni vërtetë të sigurt për këtë?”.

Ai bëri me dije se personat që ndodheshin në bord, 196 prej të cilëve holandezë, nuk e kanë parë raketën të godasë avionin. “Por a e dini ju që dikush u gjet me maskë oksigjeni në fytyrë, që do të thotë se ata patën kohë ta vinin atë?”, u shpreh Timmermans.

Ai shtoi se asgjë nuk mund të përjashtohet mbi momentet e fundit të 298 viktimave. Hetimi zyrtar mbi tragjedinë nuk ka përmendur gjetjen e ndonjë maske oksigjeni në një prej viktimat.

Por ekspertë të shumë kanë arritur në përfundimin se avioni u shpërbë shumë shpejt që pasagjerët të kenë mësuar se ndonjë gjë po ndodhte.

Top Channel