Lufta për qytetin Kobane

09/10/2014 00:00

Deri para pak javësh, Kobane ishte një qytet i thjeshtë i Lindjes së Mesme, i cili strehonte një numër të madh kurdësh. Por, pasi sulmet nisën furishëm në atë zonë, mijëra njerëz janë zhvendosur drejt Perëndimit.

Kobane është braktisur thuajse i gjithi, por flamuri i ISIS vazhdon të qëndrojë në kodër. Organizata e Kombeve të Bashkara kërkon veprim të menjëhershëm ushtarak, për të parandaluar avancimin e militantëve të ISIS. I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, i bën thirrje ndërkombëtarëve.

“Bota ka parë se çfarë do të thotë të pushtohesh nga grupi terrorist : masakra, tragjedi humanitare, përdhunime… Ajo që nevojitet tani është veprimi konkret, ne duhet të veprojmë tani”, tha De Mistura.

Gjithashtu, edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u shpreh i shqetësuar nga situata, edhe pse 11 sulmet ajrore, që janë ndërmarrë në dy ditët e fundit në ndihmë të peshmergëve kurdë, kanë pasur rezultate pozitive, por sipas Pentagonit ato nuk mund të zgjasin kaq gjatë. Ndërsa Turqia është nën presion të madh për të bërë më shumë për kurdët, pasi qyteti strategjik sirian i Kobanës është në kufi me të. Por, ministri i Jashtëm turk i preu shpresat e ndërkombëtarëve për ndërhyrjen kundër ISIS.

“Ne po mbajmë bisedime, por ju nuk mund të prisni që Turqia të kryejë operacione tokësore e vetme”, tha ministri turk.

Siç pritej edhe nga analistët politikë, asgjë nuk e detyron qeverinë e Ankarasë për të ndërhyrë në konfliktin e Sirisë.

Top Channel