Kurdët protesta nëpër botë

09/10/2014 00:00

Protesta e kurdëve në Turqi përfundoi me pasoja tragjike, ku së paku 14 persona gjetën vdekjen gjatë përleshjeve me policinë.

Ndërkaq qindra të tjerë raportohen të jenë shtruar në spital me dëmtime të rënda fizike. Qëllimi i protestës ishte nxitur nga mosveprimi i qeverisë së Ankarasë, e cila nuk po merr asnjë hap për zmbrapsjen e ISIS-it në Kobane.

Zyrtarët u detyruan  të përdorin gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën në krahinat lindore dhe juglindore Turqisë, ndërsa demonstruesit u kundërpërgjigjën duke gjuajtur forcat e policisë me mjete rrethanore.

Ministri i Brendshëm, Efkan Ala bëri thirrje për t’i dhënë fund protestave duke thënë se dhuna nuk është zgjidhje.
“Dhuna shkakton hakmarrje. Ky qëndrim irracional duhet të marrë fund menjëherë, ne nuk duam të shpallim luftë me askënd”, tha ministri i Brendshëm i Turqisë.

Por Turqia nuk rezulton të jetë vendi i vetëm i përfshirë në protestat e kurdëve. Nëpërmjet rrjeteve sociale, komunitetet kurde në mbarë Europën janë mobilizuar për mbajtjen e demonstratave.

Gjithashtu në Bruksel raportohen incidente, megjithatë disa protestues u pritën nga Presidenti, Martin Schulz, i cili u premtoi se do të diskutojë  gjendjen e tyre me udhëheqësit e NATO-s dhe BE-së.

Por tensionet janë veçanërisht të larta në Turqi, sepse kurdët kanë luftuar prej tri dekadash një betejë të gjatë për autonomi. Komuniteti kurd i ka drejtuar Presidentit amerikan, Barack Obama një thirrje nën logon “Shpëto Kobanin”. Por sipas analistëve “kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk po e përballon me forcën e duhur luftën kundër terrorizmit sepse mposhtja e Kobanit dhe moskontrollimi i kurdëve, thonë ata,  janë shenja përçarjeje për Perëndimin dhe avancimi për Kalifatin Islamik”.

Top Channel