
Hong Kongu ka anuluar bisedimet me studentët protestues gjatë së enjtes, duke i dhënë kështu një goditje të fortë përpjekjeve për t’i dhënë fund krizës politike, që ka nxjerrë me dhjetra mijëra studentë nëpër rrugë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe dorëheqjen e liderit Leung Chun-ying.
Vendimi i qeverisë erdhi menjëherë pasi ligjvënësit demokratë kërkuan nga oficerët e antikorrupsionit të hetonin një pagesë prej 6,4 milionë dollarësh për Leung gjatë kohës së tij në pushtet, teksa presioni politik është shtuar së tepërmi pas protestave masive në qytetin e kontrolluar prej Kinës.
Ende nuk është bërë e ditur se cila do të jetë lëvizja e radhës e studentëve, nëse do të vazhdojnë luftën e tyre nëpërmjet protestave në rrugë, apo do të tërhiqen për të planifikuar të luftojnë në një moment të dytë. Ata priten të zhvillojnë një konferencë për shtyp mbrëmjen e së enjtes.
“Thirrja e studentëve për një zgjerim të lëvizjes jo bashkëpunuese ka tronditur besimin e bazës së bisedimeve tona, ndaj dhe është e pamundur të mbahet një dialog konstruktiv”, tha Kryesekretari Charrie Lam, pas anulimit të dialogut.
Disa orë më parë, Departamenti i Drejtësisë në Hong Kong dorëzoi në Prokurori hetimet për pagesën ndaj Leung nga një kompani inxhinierike australiane. Sipas këtij departamenti, vendimi synon të shmangë “çdo perceptim të mundshëm për paragjykime, njëanshmëri apo ndikim të padrejtë”.
Top Channel