Gjermani, sekuestrohen 330 kg heroinë

09/10/2014 00:00

Autoritetet policore në Gjermani kanë sekuestruar një ngarkesë prej 330 kilogramë heroinë, me vlerë rreth 50 milionë euro, të kontrabanduar në Evropë nga një grup trafikantësh që e kishin fshehur drogën në kavanozë me kastravecë dhe hudhër, që ishin nisur nga Irani.

Lajmin e ka bërë të ditur zyra e policisë federale gjermane, BKA, sipas të cilës pas tentativës për të importuar heroinën në Gjermani fshihet një grup kriminal siriano-iraken, aktiv prej vitesh.

Sekuestrimi, ka shtuar policia federale, është realizuar më 22 shtator në qytetin e Esenit dhe ka qenë rezultat i një hetimi që ka zgjatur prej muajsh. Për arsye hetimore, detajet e tij janë zbuluar vetëm këtë të enjte.

Policia nuk ka saktësuar nëse ngarkesa e heroinës ishte nisur pikërisht nga Irani apo nëse ishte fshehur mes kastravecëve dhe hudhrave gjatë transportit për në Europë.

Në shtator, lidhur me këtë hetim ishin arrestuar dy vëllezër gjermanë dhe një shtetas holandez. Ngarkesa e sekuestruar kalon sasinë totale të heroinës të sekuestruar në Gjermani gjatë gjithë vitit 2013.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel