Eglantina Mbreshtani: Kthehem pas 23 vitesh për të rigjetur vajzën

09/10/2014 00:00

Eglantina Mbreshtani rikthehet në këtë kthinë pas 23 vitesh. Në fshatit Kodras të Ersekës ndodhet dhe banesa, ku dikur ajo ka qenë nuse e shtëpisë. Sot nuk është nostalgjia që e ka bërë të kthehet, por vajza e saj Xhensilda, të cilën e ka lënë në muajt e parë të jetës.

Ritakimi nuk është aspak i lehtë për palët… Eglantinën del e pret ish-kunata e saj, Lavdia, ndërsa Xhensilda nuk shfaq kurrëfarë shenje afrimiteti me të, edhe pasi mëson se është e ëma. Në fakt edhe kushtet e saj shëndetësore nuk i bëjnë të lehta rrethanat.

Eglantina ka shumë pikëpyetje për të zgjidhur në gjithë këto vite mungesë në jetën e së bijës.

“E dua mamin, po Bona më tha të mos e dua shumë”.

Mentaliteti, por edhe mëria e famijarëve të saj, e kanë yshtur këtë vajzë të rritur për rreth 23 vite në mjerim, kundër nënës së saj.

“Më tha mua se kam lindur nga mamaja, pro rri me Lavdien, me babin, me Bonën. Por, Bona më tha që të mos e dua mamin”. Bona dhe Lavdia janë hallat e Xhenit, që e kanë rritur së bashku.

Eglantina e ka të vështirë, në pak minuta, t’i shpjegojë të bijës motivet përse u detyrua ta braktiste. Por, sot ka ardhur këtu me dëshirën për të ngjitur dy pjesët e shkëputura të jetës së saj.

“Mami ka pasur shumë probleme, ndaj nuk të kam ardhur. Tani i kam rregulluar, i kam bërë të gjitha dokumentet ndaj dhe erdha të të marr. Do shkojmë në shkollë, do të të rregullojmë edhe librat, do i rregullojmë shtëpinë babit, nënën do ta çojmë në spital. Po sot ke ngrënë bukë?”.

“Po, bukë me reçel. Makarona që kishim për darkë”.

“Po emrin e mamit e di ti? Si e kam emrin unë? E di se kush ta ka vënë emrin ty? Mami ta ka vënë kur linde”.

“Tina quhesh, emrin gjatë Eglantina, ndërsa unë e kam Xhensila, por nuk më kanë thënë se kush ma ka vënë emrin”.

“Për mua është ëndrra më e madhe që e takoj pas 23 vitesh gocën. Falënderoj zotin që është gjallë në radhë të parë dhe të gjitha do të rregullohen me kalimin e kohës” thotë Eglantina.

Top Channel