Ebola, sfida më e madhe që nga Aids

09/10/2014 00:00

Përhapja e Ebolës në Afrikën Perëndimore është emergjenca më e madhe që nga zbulimi i sëmundjes së HIV/Aids, kanë deklaruar autoritetet mjekësore amerikane.

Thomas Frieden, drejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i bën thirrje botës që të reagojë me shpejtësi në mënyrë që virusi të mos kthehet në “Aids-in e ardhshëm”.

Doktor Frieden ka folur në një forum të nivelit të Lartë të Bankës Botërore mbi krizën e shkaktuar nga virusi, i cili u ka marrë jetën 3.860 njerëzve, shumica e të cilëve në Afrikën Perëndimore, përfshirë këtu mbi 200 punonjës shëndetësorë.

Këtë të enjte, një doktor liberian humbi jetën për shkak të sëmundjes në fjalë në një qendër mjekësore në Monrovia, njoftuan autoritetet lokale.

Doktori John Taban Dada punonte në spitalin më të madh të vendit, Qendra Përkujtimore John F Kennedy, bënë të ditur kolegët e tij.

Kjo vdekje e çon në katër numrin e mjekëve që kanë humbur jetën në Liberi që nga rënia e virusit. Ndërsa pak ditë më parë, një infermiere spanjolle u bë personi i parë i prekur nga virusi jashtë Afrikës.

“Mund të them se në këto 30 vjet që kam punuar në sektorin e shëndetit publik, e vetmja gjë që mund të krahasohet me Ebolën ka qenë Aids-i”, ka thënë doktor Frieden.

Top Channel