Takim mes zyrtarëve të BE dhe firmave të teknologjisë

08/10/2014 00:00

Një darkë “private” mes firmave gjigante të teknologjisë dhe zyrtarëve të qeverive të Bashkimit Europian pritet të zhvillohet këtë të mërkurë. Twitter, Google, Microsoft dhe Facebook do të mblidhen së bashku në Luksemburg.

Qeveritë janë shqetësuar së tepërmi në lidhje me mënyrën se si po përdoren rrjetet sociale si një mjet rekrutimi nga grupet radikale islamike.

Detaje të mëtejshme në lidhje me takimin do të publikohen nga BE-ja, më vonë gjatë ditës, përpara se darka të nisë.

Në të do të marrin pjesë ministrat e 28 shteteve anëtare të BE-së, anëtarë të Komisionit Europian dhe përfaqësues nga kompanitë teknologjike.

Komisioni Europian bëri të ditur se “ka një interes shumë të fort nga BE dhe ministrat e Brendshëm për të zhvilluar dialogun me kompanitë më madhore të industrisë së internetit, mbi çështje të interesit të përbashkët dhe shqetësimeve nga radikalizimi online”.

Në veçanti, takimi do të fokusohet në:

1. sfidat e shfaqura prej përdorimit të internetit nga terroristët dhe përgjigjet e mundshme. Mjetet dhe teknikat për t’u përgjigjur ndaj aktiviteteve online të terroristëve, me kujdes të veçantë ndaj zhvillimit të nismave specifike antinarrative.

2. sfidat e lidhura me sigurinë në internet, në kontekstin e marrëdhënieve më të zgjeruara me kompanitë madhore të industrisë së internetit, duke marrë parasysh procesin e rregullt të kërkesave dhe të drejtave fundamentale.

3. rrugët e ndërtimit të besimit dhe më shumë transparencë.

Kjo është hera e dytë që prej Korrikut, që firmat janë thirru për diskutime në lidhje me masat e mundshme. Gjithsesi, një mungesë e rëndësishme në takim do të jetë ajo e “Ask.fm”, një rrjet social që besohet se është përdorur gjerësisht si mjet rekrutimi për grupet islamike radikale.

Firma ishte në pronësi të vëllezërve lituanezë, Ilja dhe Mark Terebin, por në Gusht u ble nga një kompani amerikane. Pronarët e rinj të kësaj faqeje interneti thanë se “nuk ishin të ftuar. Nëse do të dinim diçka mbi këtë takim, me siguri që do të kishim marrë pjesë”.

Top Channel