Protesta të kurdëve edhe në Bruksel, 12 të vdekur në Turqi

08/10/2014 00:00

Të paktën 12 persona kanë mbetur të vdekur nga përleshjet mes protestuesve kurdë dhe policisë në Turqi. 

Kurdët protestuan të martën kundër dështimit të Turqisë për të mbështetur dhe mbrojtur qytetin e Kobanit në Siri, i cili është i populluar kryesisht me popullsi kurde.  

Protestat u përhapën me shpejtësi në 6 qytete dhe degjeneruan menjëherë në përleshje të dhunshme me forcat e policisë, të cilat përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e revoltuara. Të paktën 5 persona raportohet të jenë vrarë vetëm në qytetin Dijarbakir. Një protestues 25-vjeçar u vra në krahinën lindore Mus.

Autoritetet në provincën jugore, Mardin shpallën shtetrrethimin, ndërsa një grup nacionalistësh turq rrethuan një ndërtesë në Stamboll,  e cila ishte pushtuar nga kurdët. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është partia më e madhe kurde në Turqi, i bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të saj të dalin në rrugë për të protestuar kundër ofensivës së ISIS. PKK në Turqi konsiderohet si grup terrorist.

Por, tubime për tërheqjen e vëmendjes ndaj situatës në Kobane pati edhe në disa vende të Europës Perëndimore.

Dhjetra demonstrues hynë të martën në Parlamentin Europian në Bruksel. Ata u larguan nga ndërtesa vetëm pasi anëtarë të Parlamentit u takuan me ta për të biseduar, dhe kryetari i Parlamentit Martin Schulz premtoi mbështetjen e tij kundër xhihadistëve.

Mitingje pati edhe në Gjermani. Edhe pse ato ishin përgjithësisht të qeta, përjashtim ka përbërë demonstrata në Hamburg, ku pati përleshje në rrugë mes kurdëve dhe muslimanëve radikalë. Policia arriti t’i ndajë të dy grupet duke përdorur pompat e ujit.

Ndërkohë, raportohet se me qindra kurdë, të cilët kanë tentuar të kalojnë kufirin për në Turqi, janë ndaluar nga policia kufitare. Sipas një dëshmitari rreth 300 persona u ndaluan në qytetin kufitar të Suruc.

Një javë më parë, Turqia u zotua se do të parandalonte rënien e qytetit të Koban në duart e militantëve të ISIS. Por kurdët kanë akuzuar shtetin turk se nuk ka bërë asnjë përpjekje për të mbrojtur qytetin dhe popullsinë e tij.

Ndërsa, Kryeministri i Turqisë tha se vendi i tij ka bërë ‘çdo gjë të mundur’ për të mbrojtur qytetin. Ai e cilësoi si “gënjeshtër masive” pretendimin se Turqia nuk ka vepruar.

Forcat e koalicionit ndërkombëtarë kundër ISIS, të udhëhequra nga SHBA-të reaguan ndaj përparimit të militantëve duke ndërmarrë bombardime të njëpasnjëshme nga ajri pranë Kobanit, por Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi se qyteti ishte “gati të bjerë”.

Të paktën 400 persona kanë vdekur vetëm gjatë 3 javëve të fundit në luftimet në Kobane, ndërsa sipas raporteve rreth 160 mijë sirianë janë larguar jashtë vendit. Nëse qyteti do të bjeri në duart e ISIS, atëherë ata do të kenë një shtrirje të gjatë në kufirin me Turqinë.

Top Channel