Lufta për mbrojtjen e Kobane

08/10/2014 00:00

Nga sa pohon zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, fushata ajrore kundër Shtetit Islamik pranë qytetit sirian të Kobanes ka qenë e “dobishme”.

Efektshmërinë e sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e pranuan edhe luftëtarët kurdë, të cilët shtojnë megjithatë se goditja e xhihadistëve, që avancuan në Kobane duke marrë nën kontroll tri lagje lindore të tij, duhej të vinte më shpejt.

“Jemi duke ndihmuar përmes sulmeve ajrore, që kemi kryer gjatë ditëve të fundit. Sulmet ajrore kanë qenë të dobishme, jo vetëm atje, por edhe në Irak dhe në rajone të tjera”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e DASH.

Vrulli i ISIS-it në Kobane është ndalur, edhe pse luftimet përreth qytetit vazhdojnë. Situata gjatë natës ka qenë e tensionuar, e presioni mbi paraushtarët kurdë ishte i madh. Përplasjet kanë qenë të ashpra, ndërsa forcat vendase po përpiqen të mbrojnë civilët me çdo kusht.

Në betejën trejavore për Kobanen, 400 vetë kanë humbur jetën e 160.000 të tjerë kanë kaluar kufirin me Turqinë. Rrezikun e rënies së qytetit në duart e Shtetit Islamik e theksoi edhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili paralajmëroi se grupi militant do të marrë nën kontroll të gjithë zonën përgjatë kufirit, nëse për t’iu kundërvënë ofensivës së tyre nuk do të ketë dhe ndërhyrje të trupave tokësore.

Të martën, edhe i dërguari i ri i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura, kërkoi veprime të menjëhershme dhe “konkrete” nga komuniteti ndërkombëtar. Aktualisht, kurdët mbrojtës të Kobanes kanë hedhur urat e një komunikimi të drejtpërdrejtë me forcat e koalicionit.

Por, edhe pse nëpër rrugë milicia kurde ka epërsi, xhihadistët janë më të shumtë në numër e më mirë të armatosur, ndaj dhe sulmet ajrore, të vetme, mund të mos mjaftojnë për t’i ndaluar ISIS-it marrjen e Kobanes.

Top Channel