Basha: Raporti fshikullon qeverinë

08/10/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke komentuar raportin e progresit të Komisionit Evropian pasi dokumenti iu dorëzua nga ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, e ka vënë theksin tek “fryma konfliktuale” e qeverisë.

“Raporti denoncon frymën konfliktuale të qeverisë. Komisioneri Fyle tha se, qeveria duhet t’i krijojë kushtet për bashkëpunim opozitës në Parlament”, ka deklaruar Basha në një komunikim me mediat.

Duke cituar raportin, Basha i është drejtuar kryeministrit Rama, duke i kërkuar atij që të përmirësojë klimën parlamentare, si dhe që të largojë të inkriminuarit nga Kuvendi dhe administrata publike.

“Edi Rama duhet të flasë dhe të bëjë një ‘mea kulpa’ për mënyrën se si e ka shndërruar Parlamentin. Ai duhet të organizojë një dialog për të dekriminalizuar Kuvendin dhe administratën publike”, theksoi Basha.

Reforma në drejtësi ka qenë një tjetër pikë ku kryetari i PD është ndalur gjatë. “Për drejtësinë raporti thotë se tre ligjet e fundit të miratuara në Parlament ishin të njëanshëm. Reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e mbikëqyrur nga Komisioni i Venecias”, ka thënë ai.

Më tej, kreu i opozitës e ka vënë theksin tek konstatimet e raportit, që sipas tij vlerësojnë se qeveria nuk ka asnjë nismë për të luftuar krimin e organizuar, tek “korrupsioni masiv” që po bëhet me paratë e taksapaguesve, si dhe tek rënia e likuiditeteve në ekonomi dhe “rritja drastike” e të papunëve.

Duke iu referuar raportit, kryetari i PD ka kritikuar edhe më tej qeverinë sa i takon lirisë së medias, si dhe për bllokimin e pushtetit vendor, me mungesën e transparencës të fondeve që u jepen bashkive dhe komunave.

Top Channel