
Edhe Parlamenti kanadez ka votuar pro autorizimit të Forcave të Armatosura të vendit për t’iu bashkuar sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr prej Amerikës ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Irak.
Votimi, që kaloi me 157 pro dhe 134 kundër, mbështeti kërkesën e kryeministrit Stephen Harper në lidhje me këtë çështje dhe do të lejojë sulme ajrore për një periudhë deri në 6 muaj, por përjashton përdorimin e trupave ushtarak në terren.
Kanadaja do të dërgojë deri në 6 avionë luftarak “CF-18”, ashtu sikurse edhe avionë survejimi dhe çisternë, por edhe një personel prej 600 vetësh, duke qenë kështu vendi i fundit mes shumë të tjerëve që i janë bashkuar fushatës kundër Shtetit Islamik.
“Nëse lihet e pakontrolluar, kjo organizatë terroriste do të rritet dhe shumë shpejt madje. Ata kanë shprehur tashmë qëllimet e tyre terroriste, lokale dhe ndërkombëtare, si dhe kanë identifikuar Kanadanë si një objektiv potencial”, tha kryeministri konservator Harper.
Kanadaja ka disa dhjetra këshilltarë ushtarak në Irak prej disa kohësh, por Harper përjashtoi dërgimin e trupave tokësorë në vendin e Lindjes së Mesme. Sulmet ajrore të Kanadasë ndaj objektivave në Siri nuk janë autorizuar momentalisht, pasi ende nuk kanë marrë mbështetjen e plotë të qeverisë së sulmuar në Damask.
Pak ditë përpara vendimit të Kanadasë, të njëjtin angazhim mori edhe Australia. Koalicioni i drejtuar nga Amerika ka mbështetjen e disa vendeve europiane, përfshirë Britaninë, Francën dhe Holandën, si dhe atë të disa shteteve të Gjirit Persik, ndër të cilat dhe Jordania e Arabia Saudite.
Top Channel