Të djathtët, 6 pyetje për Fylen

07/10/2014 00:00

Strategjia e Zgjerimit dhe raportet përkatëse të progresit pêr vendet e Ballkanit dhe Turqinë pritet të miratohen nga Kolegji i Komisionerëve përpara mesditës së të mërkurës, pas pajtimit në parim të hënën nga shefat e kabineteve.

Komisioneri në largim, Stefan Fule parashikohet të ndjekë traditën e vendosur prej tij vitet e fundit, për të siguruar dhe mbështetjen e Parlamentit Europian për dokumentin strategjik. Ai pritet ta publikojë atë fillimisht në Komisionin e Jashtëm Europarlamentar, rreth orës 12 e 30,  përpara konferencês publike për shtyp të drekës.

Por përballja e fundit e komisionerit të deritanishëm çek mund të jetë dhe më e vështira. Mësohet se pakënaqësitë lidhen me mungesën e komunikimit përgjatë procesit përpilues të raporteve dhe eurodeputetët e interesuar për to, mundën të sigurojnë në dy ditët e fundit vetëm shpjegime orale mbi përmbajtjen e tyre nga zyrtarët e KE.

Ndërkohë që në terren paraqitet një situatë më e tensionuar mes grupeve kryesore politike, pas përplasjeve në komitetet përkatëse mbi kandidatët e rinj të Komisionit. E djathta europiane, sipas një dokumenti të siguruar nga TCH, parashikon të shtrojë ndaj komisionerit të majtë 6 pyetje mbi Shqipërinë, ku përmblidhen shqetësimet e ngritura deri tani nga PD, si sulmet e dhunës ndaj opozitës nga deputetë të shumicës me preçedentë penal, moszbatimi nga qeveria i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore mbi të dhënat në serverin e tatimeve dhe emërimin në administratë të personave të përfshirë në krim të organizuar, kapjen e institucioneve demokratike nga qeveria përmes përfundimit të paligjshëm të mandatit kushtetues të të shkarkuarëve, heqjet masive në administratë dhe emërimi i të dënuarëve, e skandali i blerjes së votës në zgjedhjet e pjesshme të Korçës.

Arsyetimi për këto pyetje, parashikon mungesën e qëndrimit të Komisionit në raportin për Shqipërinë, ose mungesën e paraqitjes së fakteve siç duhet prej tij. Ndryshe nga vitet e mëparshme, vendet anëtare të BE-së përkushtuan pak, për të mos thënë aspak, vëmendje mbi gjetjet e Komisionit për vendet e Ballkanit dhe Turqinë.

Në fokus të institucioneve të BE-së ishte procesi intensiv njëjavor i dëgjesave të komisionerëve të rinj, ku legjislativi europian vlerëson aftësitë e tyre për marrjen e detyrës.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel