Progres raporti: Sfidë, dialogu politik

07/10/2014 00:00

Pas marrjes së statusit kandidat, Komisioni Europian çmon me një gjuhë
më pozitive ecurinë e Shqipërisë në kryerjen e reformave integruese
gjatë këtij viti.

Top Channel siguroi dokumentin konfidencial për Strategjinë e Zgjerimit që zyrtarisht pritet të publikohet  të mërkurën. Në të, vlerësohet “progres i mëtejshëm drejt përmbushjes së kritereve politike”. Përmendet nisja e Dialogut të Nivelit të Lartë mbi 5 prioritetet kyçe dhe caktimi i Grupeve të Përbashkëta të Punës për strukturimin e reformave të duhura, ndërsa pritet formimi i Këshillit Kombëtar mbi Integrimin Europian për nxitjen e gjithpërfshirjes dhe bashkimin e të gjithë të interesuarve për këtë proces.

Edhe këtë vit, nuk mungojnë pasazhet mbi tensionet politike dhe bojkotin parlamentar, ku Komisioni përsërit se një dialog konstruktiv dhe i pandërprerë është jetik për qëndrueshmërinë e reformave.

“Parlamenti miratoi me konsensus rezolutën mbi integrimin europian. Kaloi një numër masash ligjore mbi integrimin në BE, kryesisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe votoi për emërimet në gjyqësor. Transparenca e procedurave ligjore u përmirësua. Sidoqoftë, një klimë e tensionuar politike cënoi punën parlamentare, duke shkaktuar mungesa të opozitës dhe bojkotin e saj që prej korrikut nga puna parlamentare. Reforma në administratën publike ka ecur përpara, kryesisht me hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Shërbimin Civil, miratimin e akteve nënligjore dhe të hapave të marrë për përmirësimin e procedurave të rekrutimit. Duhet të ndiqet zbatimi, me qëllim që të forcohet depolitizimi, llogaridhënia dhe standardet profesionale të administratës publike”, thuhet në raport.

Vlerësohet bashkëpunimi me Komisionin e Venecias për reformën e gjyqsorit, një tjetër prioritet kyç, dhe përpilimi i strategjisë 2014-2020. U ndërmorën hapa për të përmirësuar llogaridhënien dhe transparencën e gjyqsorit, përfshirë një numër masash disiplinore. Gjykatat Administrative nisën të funksionojnë,  por raporti nënvizon se ndryshimet në ligjin për KLD-në u kryen pa konsultimin e të gjithë aktorëve të interesuar dhe se mbeten shumë të meta, megjithatë ka një ndërgjegjësim, në përgjithësi, për nevojën urgjente të një reforme të thellë në gjyqësor.

“Përpjekje thelbësore nevojiten për të siguruar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit, përfshirë përmes ndryshimeve kushtetuese. Shqipëria duhet të ndjekë në mënyrë të vrullshme këtë proces, në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komisionin e Venecias. Një nismë e vendosur nevojitet për të përforcuar sistemin disiplinor për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, si dhe për të përmirësuar, mê tej, rendimentin e gjyqeve”, thuhet më tej.

 Komisioni njeh përparim në prioritetin kyç të luftës ndaj korrupsionit, me vullnetin politik të treguar nga Qeveria për të vepruar me vendosmëri  në parandalimin e këtij fenomeni, që mbetet `mbizotërues` edhe në këtë raport.

“Megjithatë, korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha, përfshirë në gjyqsor dhe organet ligjzbatuese dhe mbetet një problem veçanërisht serioz. Shqipëria duhet të marrë masa për forcimin e kuadrit ligjor dhe të miratojë strategjinë dhe planet e veprimit kundër korrupsionit 2014-2020. Bashkëpunimi ndërinstitucional duhet rritur dhe pengesat ekzituese ndaj hetimit të frytshëm proaktiv duhet të mënjanohen. Shqipëria duhet të zhvillojë më tej, gjithashtu, gjurmët e provave për hetimet, ndjekjet dhe dënimet për rastet e korrupsionit, sidomos ato të nivelit të lartë”, thuhet në raport.

Dokumenti vlerëson emërimin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion dhe krijimin e rrjetit në ministritë e linjës për këtë luftë. Ndërkohë që prirje pozitive vërehen në disa fusha, përsa i përket prioritetit kyç të luftës kundër krimit të organizuar, falë rritjes së veprimeve të ligjzbatuesve ndaj trafikut të qënieve njerëzore dhe krimit ekonomik,si dhe për konfiskimin e drogës në Lazarat dhe veri të vendit. Kultivimi dhe trafiku i kanabisit mbetet shqetësim serioz, sipas dokumentit.

Raporti vlerëson se të drejtat themelore respektohen në përgjithësi. Kuadri ligjor për personat me aftësi të kufizuar u rishikua, por nevojitet zbatimi i tij.

Ndërkohë duhen hequr dispozitat për diskriminimin gjinor dhe të forcohen kapacitetet institucionale për mbrojtjen e fëmijëve. Vendi duhet të fokusohet në zbatimin e masave për të rritur përfshirjen e romëve dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël të shoqërisë. Mbetet shqetësimi për çështjen e pazgjidhur të pronave, por dhe mbi funksionimin e AMA-s.

“Mbrojtja e të drejtave të pronës duhet forcuar me tej duke përfshirë këtu rishikimin e strategjisë së 2012-ës mbi reformën e pronës dhe duke forcuar sigurinë e pronësimit legal”, thuhet në raport.

Strategjia e Zgjerimit të BEsë shoqërohet me raportet respektive të progresit për vendet e Ballkanit dhe Turqinë. Komisioni Europian analizon se në këto vende, përgjithësisht, hasen sfida të ngjashme në fushën e sundimit të ligjit, gjyqsorit, administratës publike, pavarësisë së institucioneve, medias, qeverisjes ekonomike e reformës fiskale.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel