Arsimi, PD akuzon qeverinë

05/10/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po i trajton si emigrantë të paligjshëm, studentët e universiteteve që u mbyllën për shkak të reformës.

Deputeti Luçiano Boçi i bëri thirrje kryeministrit, që të ndalë diskriminimin e të rinjve dhe t’u sigurojë atyre mundësinë që të ndjekin universitetin, sipas krediteve që kanë përfituar gjatë viteve të studimit.

“Qeveria po trajton mijëra të rinj studentë si emigrantë të paligjshëm, duke i sorollatur nëpër dyer ku nuk marrim sqarim për të ardhmen e tyre. Mijëra studentë të universiteteve private dhe familjet e tyre po përjetojnë sot ditë ankthi, pasi falë qeverisë nuk kanë asgjë të sigurt për të nesërmen e tyre akademike”, u shpreh deputeti Boçi.

“Në mijëra raste, qeveria po fshin me një të rënë të lapsit deri në 3 vite investime të studentëve, kursime gjaku dhe djerse të familjeve të tyre. Dhe kjo, sepse me një pashpirtësi të pashoqe qeveria i shumëzoi ata me zero, pas mbylljes së universiteteve private. 3 vite mund, parà dhe studime, shkrumbohen e bëhen hi, sepse Edi Rama ka gatuar çorbën e tij klienteliste të arsimit. Mijëra studentë të tjerë nuk po regjistrohen dot në universitetet publike, sepse dyert e tyre janë të mbyllura nga kuotat qeveritare të Edi Ramës”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.

Top Channel