Me faljen e Namazit të Kurban Bajramit, besimtarët myslimanë në Maqedoni kanë nisur festën. Mijëra besimtarë i janë drejtuar xhamive në orët e para të mëngjesit për të kryer ritet fetare, ndërsa imamët kanë lëshuar mezashe për paqe, solidaritet dhe tolerancë.

Ceremonia kryesore e faljes së Kurban Bajramit është bërë në Shkup në Xhaminë e Mustafa Pashës.
“Sot është një ditë madhështore, është ditë festive, ditë e paqes, ditë ku duhet të aplikohet respekti dhe dashuria mes njerëzve dhe të gjithë myslimanëve. Prandaj, të gjithë besimtarëve u përcjelli një mesazh, që të jenë më solidar dhe më të ndjeshëm”, tha në fjalën e tij Sulejman Rexhepi, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.
Besimtarët mysliman në Maqedoni me rastin e festës së Kurban Bajramit urime kanë marrë nga kreu i shtetit si dhe liderët e të gjitha partive politike. Ndërkohë, sipas një tradite tashmë disavjeçare për nder të kësaj feste, një ditë më parë dhjetëra aktivistët të disa shoqatave joqeveritare i kanë shërbyer me bakllava të gjithë kalimtarët në sheshin e Shkupit, pa dallim feje dhe kombësie.

“Jemi këtu në sheshin ‘Maqedonia’ për ta festuar në shenjë të bashkëjetesës, paqes, bashkërisht festën e Kurban Bajramit. Ne sot vendosëm festën e Kurban Bajramit ta festojmë me bashkëqytetarët tanë”, thotë Nulifer Saliu, koordinatore e projektit.

Siç bëhet e ditur, këtë vit numri i kurbaneve të therur me rastin e festës ka qenë shumë më i ulët në krahasim me vitet e kaluara, për shkak të sëmundjes ‘Gjuha e Kaltër’ që është paraqitur kohë më parë tek bagëtitë e imta në Maqedoni.

Top Channel