Basha në Kavajë: Të largojmë “shejtanin”

04/10/2014 00:00

Jo pa qëllim zgjodhi Kavajën kreu i demokratëve Lulzim Basha, për të uruar besimtarët muslimanë dhe shqiptarët në ditën e Kurban Bajramit.

Qyteti që ditët e fundit është bërë arenë e konflikteve politike pas prishjes së monumentit të dy gishtave është shfrytëzuar nga kryedemokrati, jo vetëm për të uruar.

“Atje është varri i profetit, këtu është varri komunizmit. Po të duash ta shohësh, po të duash ta përqafosh, mirësinë e Zotit e sheh kudo. Detyra jonë është të largojmë shejtanin dhe t’i afrohemi çdo ditë Zotit”, tha Basha.

Duke e vlerësuar këtë festë, si ditën për reflektim dhe solidaritet mes shqiptarëve në prononcimin në prani edhe të besimtarëve, kryetari i demokratëve akuzoi qeverinë për më shumë papunësi dhe më shumë varfëri.

Duke iu referuar prishjes se objektit në qendër të qytetit, Basha u zotua në atë që quajti “largimi i së shkuarës”, që sipas tij, përfaqësohet nga qeveria aktuale.

“Shpreh bindjen se e keqja i ka këmbët e shkurtëra dhe kohën e shkurtër. Me kavajasit, këtë popull të qytetëruar të traditës, të virtytëve më të mira të shqiptarit, që i priu qytetarisë shqiptare në rrugën e çlirimit prej zgjedhës më të mënxyrshme që kishim njohur, me rininë kavajase, me shqiptarët e lirë, të djathtë e të majtë anembanë Shqipërisë, do të dijmë ta ndalim prap të keqen, do të dijmë ta arkivojmë në analet e së shkuarës, do të dijmë të përqafojmë të ardhmen”, deklaroi Basha.

Top Channel