Alonso, pas Suzukës, lamtumirë Ferrarit

03/10/2014 00:00

Tashmë është thuajse e sigurt. Alonso pritet t’i thotë lamtumirë Ferrarit, e zyrtarizimi mund të vijë që nga kjo e diel, pas Çmimit të Madh të Japonisë.

Pas 5 sezonesh bashkëpunim, duke nisur nga viti i ardhshëm Ferrari do t’i duhet të gjendet në një pozicion aspak komod, për t’u përballur me Fernando Alonson si kundërshtar.

Ndarja duket se ka ardhur pas ndryshimeve të fundit te Ferrari, por shkëndijat e para të krisjes së raportit mes spanjollit dhe skuderisë italiane kanë nisur që prej sezonit të kaluar, kur Alonso la të kuptohej se do të dëshironte një “Red Bull” si dhuratë për ditëlindjen e tij.

Një batutë që nuk është pëlqyer aspak nga drejtuesit e “kokëkuqes”. Por, falë rezultateve të tij dhe një udhëheqjeje absolute të fituar në pistë, Alonso duket se është ndier zot shtëpie për të lëshuar çdo fjalë dhe për të bërë çdo lëvizje, të cilat në fakt kanë përkeqësuar në periudhë afatgjatë raportet me Ferrarin.

Fjalët e deklaruara në Paris nga Sergio Marchionne nënvizojnë edhe njëherë atë që mund të konsiderohet si një pikë, nga ku nuk mund të kthehesh më mbrapsht. Ferrari është ende një markë e fortë, që mund të bëjë mirë në mungesë të kujtdo.

Presidenti i ardhshëm ka shtuar se misioni i tij është mbrojtja e Ferrarit, një shenjë që, duke ditur pretendimet e Alonsos për rinovimin e kontratës, mund të përfaqësojnë njëfarë kërcënimi. Ndërsa Montezemolo, si gjithmonë, kur flet për Alonson i referohet së shkuarës…

Top Channel