Shërbimi i ri i Policisë së Tiranës

02/10/2014 00:00

Kryeministri Rama u shpreh përpara policisë së kryeqytetit se godina e vjetër e policisë ishte shëmbëlltyra e rrënimit të saj dhe se godina e re nuk është thjesht transformim, por transformimi cilësor i shërbimeve ndaj qytetarit.

“Ishte shëmbëlltyra e një rrënimi që në fakt nuk ishte thjesht i godinës, por i Policisë së Shtetit. Banoj këtu 50 m nga kjo godinë dhe kam patur mundësinë në mënyrë të vazhdueshme të shikoj se si qytetarët mblidheshin të gjithë grumbull tek një frëngji dhe se cfarë pamje dëshpëruese kishte drejtoria kryesore e policisë si drejtori e kryeqytetit. Ajo që vlen më shumë se sa pamja dhe transformimi fizik i godinës, është transformimi i shërbimit brenda saj”, tha Rama.

Kryeministri duke thumbuar opozitën u shpreh se qeveria që drejton pa pikë dyshimi është e zotë të sjellë ndryshimin.

“Nuk po bëhet një përurim rutinë dhe as po përurohet ndryshimi i pamjes së një godine, edhe pse besoj në këtë pikë s’ka kontestime që për fasada nuk na e kalon askush, këtë e pranon me plotë gojë edhe opozita duke kujtuar se thotë ndonjë gjë që ne nuk na pëlqen. Por ne na pëlqen shumë që të përmirësojmë pamjen e gjërave”, shtoi Kryeministri.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shpjegoi rëndësine e krijimit te Zyrave të Shërbimit të Qytetarit. Ai tha se qëllimi është rivendosja e besimit dhe e transparencës, reduktimi i korrupsionit dhe eleminimi i burokracisë.

Sipas ministrit cdo qytetar do të ketë mundësinë të bëjë kallëzim në polici në çdo moment gjatë 24 orëve, çdo ditë të javës. Pas marrjes së kallëzimit, qytetarit i jepet numri unik i çështjes.

Çka është më e rëndësishmja, tha Tahiri, nga 75 shërbime që ofron policia, tashmë për të gjithë do të ketë një sportel dhe askush nuk mund të sorollasë qytetarët nga një zyrë në tjetrën.

Top Channel