
Deputetët demokratë kanë zbritur në sheshin ku ngrihej Obelisku i Demokracisë në Kavajë për të protestuar për heqjen e këtij monumenti, akt që është konsideruar si revansh dhe hakmarrje e kryeministrit ndaj demokracisë.
“Këta kanë ardhur për revansh dhe revanshin e bënë në qytetin e demokracisë. Po mos të kishte qenë Kavaja, nuk do të kishte qenë Shkodra, Qyteti i Studentëve, Tirana dhe e gjithë Shqipëria”, tha deputeti Arben Imami.
Deputeti Aldo Bumçi u shpreh se në vend po nxitet klima e urrejtjes: “Cfarë do të ndodhte në Shqipëri sikur demokratët të vinin në pushtet me një të mijëtën e urrejtjes me të cilën ka ardhur Edi Rama? As të majtët dhe as të djathtët nuk e duan këtë klimë urrejtjeje. Ai erdhi dhe rrëzoi simbolin e lirisë, por ai nuk mund të rrëzohet. Do të rrëzohet ai që guxoi të dilte kundër këtij simboli.”
Ndërsa deputetja Mesila Doda tha se “Rilindja e Kuqe” po sjell një bashkëpunim të krimit të vjetër dhe atij të ri dhe ftoi në protesta masive për të frenuar atë që ajo e quajti “monstër me fytyrë njerëzore”: “I takon qytetarëve të Kavajës fillimisht që t’i thonë boll kësaj monstre me fytyrë njerëzore. I takon atyre t’i thonë boll vdekjes së demokracisë, që po jep shpirt nga dita në ditë dhe askush nga ne nuk ka guxuar të ngrejë zërin.”
“Rama ka ardhur me një qëllim: të hakmerret ndaj demokratëve. Kush mendon se na ka shembur simbolin, e ka gabim dhe do e paguajë këtë revansh që ka ndërmarrë jo vetëm ndaj demokratëve, por të gjithë shqiptarëve”, theksoi deputeti Edi Paloka.
Demokratët paralajmëruan vazhdimësinë e protestave deri në rikthimin e monumentit simbol të ndërtuar në nderim të lëvizjes së parë demokratike që daton më 26 mars të vitit 1990 në qytetin e Kavajës.
Top Channel