Fushata antiduhan, masat ekstreme për të ulur konsumin

02/10/2014 00:00

“Jo duhanit”. Nën të njëjtën thirrje janë bashkuar shumë njerëz publik e
institucione të ndryshme! Ndërgjegjësimi dhe përmirësimi i shëndetit të
çdo qytetari, që pi duhan, ka çuar në miratimin e projektligjit, që
rrit për çdo vit taksat e duhanit, në 3 vitet e ardhshme.

Çdo qytetar, që vëren se po konsumohet duhan në një ambient të mbyllur, mund të denoncojë me tekst, foto ose video, në faqen e internetit të vënë në dispozicion “Shqipëria jo duhanit”, ose në numrin 0800 40 40.

Në vende të ndryshme të botës janë të shumta ligjet e miratuara antiduhan. Australia ka ndaluar pirjen e duhanit brenda të gjitha aeroporteve, zyrave qeveritare, klinikave shëndetësore dhe vendeve të punës në Australi.

Restorantet dhe qendrat tregtare, në shumicën e shteteve dhe territoreve, janë zona ku nuk lejohet konsumi i duhanit. Ndërkohë në Sidnej, pirja e duhanit është e ndaluar edhe në plazhet e Manly dhe Bondi.

Kina është prodhuesi dhe konsumuesi më i madh i duhanit në botë. Në Maj të 2008-s, në prag të Lojrave Olimpike, pirja e duhanit u ndalua në shumicën e ndërtesave publike në Pekin. Ky veprim ishte një përpjekje për të shkurajuar duhanpirësit kinez, si dhe për pastrimin e qytetit përpara Lojrave.

Sipas të dhënave, Gjermania naziste udhëhoqi fushatën e parë antiduhan në botën moderne. Në Europë, fushatat dhe ligjet antiduhan kanë qenë një nga çështjet më të ndjeshme dhe që është kundërshtuar me shumë forcë.

Franca ndërmori një hap të rëndësishëm, kur njoftoi parandalimin e pirjes së duhanit në vendet e punës dhe ndërtesat e tjera publike, nga 1 Shkurti i 2007-s. Ligji u zgjerua në vitin 2008, duke përfshirë edhe kafenetë dhe restorantet.

Ditët e fundit, Franca ka paralajmëruar se ngjyrat e ndezura dhe markat e njohura të paketave të cigareve do të zëvendësohen me figura paralajmëruese të organeve të sëmura të duhanpirësve. Ndërkohë, shoferët dhe pasagjerët nuk do të lejohen të pinë duhan para fëmijëve nën moshën 12 vjeç.

Edhe pse këto masa nuk do të hyjnë në fuqi deri në 2016-n, fushata ka nisur. Ministri francez i Shëndetësisë, Marisol Touraine, thotë se nuk mund ta pranojë më faktin se numri i vdekjeve, të shkaktuara nga duhani çdo ditë në Francë, është i barabartë me një aksident ajror, ku 200 pasagjerët në bord humbin jetën çdo ditë!

Top Channel