Një seri shpërthimesh të fuqishme në një impiant eksplozivësh në Bullgari kanë lënë të paktën 15 viktima mes punonjësve dhe kanë plagosur 3 të tjerë gjatë natës së të mërkurës. Ngjarja ndodh vetëm 2 muaj pasi zyrtarë qeveritarë paralajmëruan për shkelje serioze të sigurisë në këtë fabrikë.

Qeveria shpalli një ditë zie për viktimat e aksidentit në fabrikën private, të cilën Presidenti Rosen Plevneliev e fajësoi për “mosrespektim arrogant” të rregulloreve.

Nikola Nikolov, kreu i Njësisë për Sigurinë nga Zjarri, brenda Ministrisë së Brendshme, tha se detonatorët ishin aq të fuqishëm sa tashmë kanë mbetur vetëm krateret e shpërthimit në vendngjarje, ndërsa mbetjet kanë “fluturuar” me qindra metra distancë.

13 burra dhe 2 gra janë vrarë, siç thotë Nikolov, i cili shkoi me një ekip ekspertësh të pastrimit të minave për të kërkuar për të mbijetuar në vendngjarje, në fshatin Gorni Lom, rreht 145 km në Veriperëndim të Sofjes.

Një 59-vjeçar, i cili vrapoi menjëherë drejt fabrikës pas shpërthimit, po kërkonte për të birin. “Isha i pari person që hyri në vendin e shpërthimit. Çdo gjë është shkatërruar atje, kam frikë se ai mund të ketë vdekur”, tha ai me gjysmëzëri…

Stafi i Kryqit të Kuq ka ngushëlluar të afërmit e viktimave në vendngjarje, ndërkohë që mësohet se punonjësit ishin duke çmontuar mina të vjetra të ushtrisë në atë fabrikë, ku ishin të punësuar 150 persona.

Megjithatë, shkaku i saktë i shpërthimit nuk dihet ende. Një hetim i tërësishëm do të duhet të presë deri sa hetuesit të hyjnë në vendngjarje rreth 24 orë pas shpërthimit të fundit, kjo për shkaqe sigurie, thanë zyrtarët.

“Tragjedia është e jashtëzakonshme. Çdo gjë është shkatërruar, përfshi edhe strehimin kundër bombave për stafin e impiantit”, tha ministri i Brendshëm Yordan Bakalov, pasi pa rrethanat në vendngjarje.

Një parti politike bëri thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvilloheshin të dielën, ndërsa shumica e tyre kanë anuluar mitingjet përmbyllëse të fushatave të tyre.

Top Channel