Një mbrëmje spektakolare me plot gola, emocione e surpriza është mbyllur në Champions League.
Paris St. Germain mundi në “Parc des Princes” Barcelonën me rezultatin 3-2, ndërsa Roma arriti një barazim me mjaft vlera në Angli ndaj Manchester City-t.
Kryeqytetasit francez kaluan në avantazh ndaj Barcelonës që në minutën e 10-të me anë të brazilianit, David Luiz, por avantazhi i tyre nuk zgjati as një minutë, Lionel Messi barazoi shifrat pas një kombinimi model me Neymar. Ishte minuta e 26 kur PSG kalon sërish në avantazh, këtë herë me italianin Verrati, i cili megjithëse shtatshkurtër e dërgoi me kokë topin në rrjetën e spanjollëve. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat. Ndërsa 45 minutat e dyta nisën sërish me një ritëm tejet të lartë dhe me dy gola të shpejtë. Matuidi e çoi rezultatin në 3-1 në minutën e 54, dy minuta më vona Barcelona shkurton shifrat me Neymar. Por vetëm kaq, në minutat e mbetura vendasit arritën të kontrollonin në mënyrë të përkryer rezultatin, pavarësisht dëshirës së miqve për të barazuar.
Roma mban lart nderin e Serie A në Manchester, duke zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë dhe me një rezultat që mund të rezultoi vendimtar për kalimin e grupit. City kaloi në avantazh mjaft shpejt, me një penallti të kthyer në gol në minutën e 5 nga Aguerro, ndërsa legjenda e ekipit roman, Francesco Totti barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 23-të me një gol të mrekullueshëm. Deri në fund të takimit rezultati mbeti i pandryshuar.
Bate, ekipi që eliminoi kampionët e Shqipërisë, Skënderbeun, dhuroi surprizën e mbrëmjes duke mundur në fushën e tij Athletic Bilbao-n, 2-1. Një tjetër rezultat surprizë ishte edhe barazimi në Gjermani, ku vendasit e Schalke 04 nuk mundën të kalonin sllovenët e Maribor, ndeshja u mbyll 1-1. Një tjetër rezultat 1-1 u vendos në Qipro mes vendasve të Apoel dhe Ajax, të cilët megjithëse kaluan të parët në avantazh nuk mundën të mbajnë rezultatin. Chelsea, i drejtuar nga portugezi Mourinho fitoi 1-0 në Portugali ndaj Sporting-ut. Ndërsa në Donetsk, Porto edhe pse u gjend në disavantazh të dy golave bëri mrekullinë në fund të takimit, ku barazoi rezultatin me dy gola në minutën e 89 dhe 94 me kolumbianin Martinez.
Top Channel