“Dyert e BE, të hapura për Ballkanin”

30/09/2014 00:00

Një artikull i gazetës britanike “The Economist” shkruan se dera e anëtarësimit në Bashkimin Europian për Ballkanin Perëndimor mbetet e hapur, por rajoni duhet të bëjë më shumë për ta arritur atë.

Sipas të përjavshmes, Ballkani Perëndimor e ka humbur mbështetjen e mëparshme të fortë të Britanisë, e cila kohët e fundit është tepër e shqetësuar për çështjet e emigracionit të paligjshëm. Por, nga ana tjetër, Gjermania ka luajtur një rol më aktiv në këtë çështje.

Megjithatë, në artikull shkruhet se problemet më të thella nuk janë në dorën e Bashkimit Europian, por është vetë rajoni, ai i cili duhet t’u japë drejtim. Progresi i Bosnjes me qeverinë e saj jofunksionale është cilësuar si i ngadaltë, më tej Maqedonia mbetet e bllokuar nga konflikti me Greqinë për çështjen e emrit, ndërsa Kosova – shkruan “The Economist” – ngelet mbrapa, pasi është i vetmi vend në të cilin njerëzit nuk mund të udhëtojnë në zonën “Schengen” të BE-së pa viza.

Por, sipas prestigjiozes, Shqipëria është kandidate kryesore, e cila ka dritën jeshile për fillimin e bisedimeve dhe shpreson ta bëjë këtë deri në fund të vitit. Megjithatë, gazeta britanike e cilëson si një fat të mirë për Ballkanin Perëndimor, postin e ri të Federica Mogherinit, si përfaqësuesja më e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, sepse ajo e njeh më së miri zonën.

Prestigjiozja “The Economist” e mbyll duke thënë se “një Ballkan i qëndrueshëm është një pasuri për të gjithë, por një Ballkan i destabilizuar dhe i varfër mund të kthehet në burimin e krimit dhe të emigrantëve të paligjshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA