Shqiptarët që kërkojnë azil, në grevë urie

28/09/2014 00:00

Bordi i emigracionit në Suedi ka deklaruar se do të punojë një javë rresht për t’u përballur me grumbullimin e shumtë të rasteve që kërkojnë azil politik, ku 12 përqind e njerëzve që duan mbështetje nga shteti janë shqiptarë.

Pjesa tjetër përbëhet nga sirianë, të detyruar të largohen nga luftërat e shumta në Lindjen e Mesme. Për shkak se shteti suedez nuk kishte ndërmarrë asnjë vendim politik lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje, njerëzit në shenjë proteste kanë rreth 2 javë që po mbajnë një grevë urie para zyrave të emigracionit.

Situata e grevistëve shqiptarë në zonën e Gavle po përkeqësohet nga dita në ditë. Sipas tyre, motivi për të kërkuar strehim politik është gjakmarrja. Azilkërkuesit shqiptarë kanë ngritur disa çadra pranë ndërtesës për të ushtruar grevën, mirëpo bordi i migracionit duket se po refuzon kërkesën e tyre.

Ndërkohë, të gjithë shqiptarët shprehen të vendosur se pavarësisht situatës së rënduar dhe motit që po vjen në përkeqësim, ata nuk do të ndalen së kërkuari të drejtën e tyre në shtetin suedez. Shteti nordik njihet si vendi i parë europian me numrin më të lartë të azilkërkuesve.

Top Channel