Seria A, Juventusi nuk di të pësojë gol, Roma feston me Tottin

28/09/2014 00:00

Juventusi regjistron një tjetër fitore, madje duke e ruajtur ende të paprekur portën e saj. Në javën e pestë të Serisë A, kampionët e Italisë fitojnë në Bergamo ndaj Atalantës me rezultatin 3-0.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 të bardhezinjve me golin e shënuar nga Carlos Tevez. Në pjesën e dytë Atalanta pati mundësinë më të mirë për të barazuar rezultatin me 11-metërsh, por Denisi nuk e ekzekutoi si duhet atë dhe Buffoni arriti të presë topin e gjuajtur prej tij.

Bardhezinjtë nuk humbën shumë kohë dhe menjëherë pas 11-mertërshit shënuan golin e dytë, sërish me Tevez. Vuri firmën e tij në këtë ndeshje edhe Alvaro Morata, i cili shënoi golin e tij të parë me fanelën bardhezi duke e çuar rezultatin e takimit në 3-0.

Roma i bëri një dhuratë të bukur kapitenit të saj Francesko Totti për 38-vjetorin e lindjes duke fituar ndaj Veronës me rezultatin 2-0. Skuadra e Rudi Garcias ishte dominuese në lojën e saj, por fatin e takimit e zgjidhi vetëm në 45 minutat e dyta me aktivizimin e Alesandro Florenzit.

Ishte ai që zhbllokoi rezultatin për Romën me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, gol të cilin ai e festoi pikërisht me Totin. Më pas, i erdhi radha Destros që me një gjuajtje kryevepër nga një distancë mbi 30 metra të vuloste përfundimisht fitoren e pestë në po kaq ndeshje të verdhekuqve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA