Koronarografia, mjekët në punë edhe pasditeve

28/09/2014 00:00

Pacientët, që kanë nevojë urgjente për koronarografi, “pace-maker” apo probleme të tjera të sëmundjeve të zemrës, nuk do të radhiten më nëpër listëpritjeje të gjata deri në një muaj kohë, por do t’i kryejnë ato më shpejt.

Drejtorja e QSUT, Ogerta Manastirliu, deklaron se është zgjatur orari deri në mbrëmje për ekipin e Hemodinamikës, që kryen këto ndërhyrje, me qëllim që ky shërbim të ofrohet edhe gjatë orëve të pasdites.

“Sot, unë kam kënaqësinë të deklaroj përmbushjen e një angazhimi të ndërmarrë në fillim të vitit, për të dyfishuar kohëzgjatjen e punës në repartin e Hemodinamikës, shërbimin e kardiologjisë në QSUT. Prej datës 1 Tetor, ky shërbim do të ofrohet nga ora 8 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, duke lehtësuar të gjithë pritjet e pacientëve të rasteve të emergjencës, por sigurisht edhe duke e shtuar numrin e rasteve që trajtohen dhe diagnostikohen sa i përket sëmundjeve koronare në Shqipëri”, u shpreh drejtorja e QSUT-së, Manastirliu.

Pak para Ditës Botërore të Sëmundjeve Kardiovaskulare, drejtorja Manastirliu tha se është rritur buxheti me 40% për këtë shërbim, me qëllim përballimin e fluksit të madh, por dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor nga ekipi i specializuar i QSUT.

Ndërsa shefi i Repartit të Hemodinamikës dhe Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT, profesor Artan Goda, e vlerësoi ekipin e mjekëve, me të cilët punon, por dhe nismën më të fundit të Ministrisë, për realizimin e paketave shëndetësore edhe në spitalet jopublike, me të njëjtën kosto si në spitalet shtetërore.

“Ne duhet të përgatitemi të gjithë bashkë për sfida ende më të përparuara, që e çojnë vendin tonë në rangun e vendeve më të zhvilluara europiane, dhe një shërbimi në kohë dhe të gjithë të sëmurët, jo vetëm të një pjese, me ndërhyrje kirurgjike në momentet e emergjencës. Ne jemi këtu për të realizuar ëndrrën e madhe, që t’i shërbejmë çdo qytetari në kohë, në momentin e emergjencës, që do të kërkojë sigurisht edhe organizime të tjera të repartit të Urgjencës në shtëpi, në spital, Reanimacion e deri sa të vijë në sallën ku ne punojmë”, deklaroi Prof. Dr. Artan Goda.

Ministri i i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi si prioritet sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale, si shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë, ku investimet në aparatura do të mundësojnë ndërhyrje të tilla edhe në disa spitale rajonale, si Shkodra.

“Kemi hyrë në ditët e para të vitit të dytë të qeverisë, ndërsa produktet po fillojnë të bëhen konkrete. Janë dhënë fondet për dy aparatura të reja, procedurat e prokurimit kanë filluar dhe do të mbyllen brenda vitit. Me blerjen e njërit prej tyre, që do ta vëmë në punë vitin e ardhshëm edhe nën udhëheqjen profesionale të shërbimit përkatës në QSUT, në spitalin rajonal të Shkodrës. Në ditët e para të Nëntorit, besoj se edhe investimi prej 400 mln dollarësh në kardiokirurgji duhet të bëhet efektiv”, u shpreh ministri Beqaj.

Por, Beqaj nuk harroi të rikujtojë edhe njëherë publikisht, një tjetër prioritet të Ministrisë së Shëndetësisë, që lidhet me shkaqet e këtyre sëmundjeve, zbatimin në mënyrë rigoroze të ligjit antiduhan.

Top Channel