Lame, akuza Bashkisë së Tiranës

27/09/2014 00:00

Drejtori i Aluiznit, Artan Lame akuzoi Bashkinë e Tiranës se po betonizon kryeqytetin dhe po zhduk gjelbërimin. Ai denoncoi një leje ndërtimi për një kompleks pallatesh shumëkatëshe të dhënë tek diga e Liqenit Artificial.

“E gjithë zona poshtë digës sot është e lirë nga ndërtimet, me një gjelbërim të pakuruar por që mund t’i kthehej qytetit. Por tani kjo hapësirë do zihet nga ndërtime me 17 kate me një gjatësi prej 400 metra linearë. Do të jenë me 5 kulme me nga 17 kate dhe kryetari i bashkisë thotë se do të shtohet gjelbërimi”, tha Lame.

Lame theksoi se një ndërtim i tillë rrit dendësinë e popullësisë në një sipërfaqe fare të vogël.

“Në ato pallate do strehohen minimalisht 5 deri në 7 mijë banorë, praktikisht një qytet i vogël brenda qytetit. Mendoni sa do shtohet popullësia atje, sa do të densifikohet nevoja për parkingje, shkolla e kopshte. Në vend që të bëhen këto, bëhen ndërtime që i japin fund gjelbërimit”, shtoi Lame.

Top Channel