Kriza parlamentare në Maqedoni mund të përfundojë me zgjedhje për plotësimin e vendeve të lira në Kuvend, nëse deputetët e opozitës maqedonase nuk kthehen në ulëset e tyre deri më 8 tetor.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ka vendosur të caktojë seancën për konstatimin e dorëheqjeve të deputetëve opozitarë pasi të publikohet raporti i progresit për Maqedoninë.

Pas verifikimit të dorëheqjeve, mandatet do t’u ofrohen kandidatëve vijues nga listat me të cilat opozita garoi në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit.

Nëse edhe ata refuzojnë të mbushin ulëset boshe në Kuvend, alternativa e vetme mbeten zgjedhjet që do të organizoheshin brenda disa muajve.

Ndonëse ky opsion po bëhet gjithnjë e më i sigurt, analistët në Maqedoni thonë se zgjidhja për tejkalimin e krizës politike duhet kërkuar përmes dialogut dhe jo zgjedhjeve.

Megjithatë, përfaqësuesit e dy partive maqedonase nuk shfaqin asnjë shenjë për të biseduar. LSDM-ja opozitare nuk heq dorë nga kërkesa e saj për formimin e qeverisë teknike, e cila do të organizonte zgjedhje të reja parlamentare, kërkesë kjo për të cilën partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE nuk pranon të bisedojë.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, që nuk njihen nga opozita, liderët e dy partive maqedonase janë takuar vetëm një herë në tentativë të tejkalimit të ngërçit, por ky takim ka rezultuar pa sukses.

Aktualisht, në Kuvendin e Maqedonisë ligjet miratohen pa debat, për shkak se që nga incidenti i fundit fizik, punimet e këtij institucioni po bojkotohen edhe nga deputetët e partisë opozitare shqiptare PDSH.

Top Channel