Artistja kosovare Blerta Surroi ka prezantuar në Shkup ciklin e mozaikëve të punuar nga qeramika, që përbëhet nga 24 vepra.

“Legjenda e detit”, “Lutje nën kala”, “Festë pagane” janë vetëm disa nga titujt e veprave të punuara nga dheu i pjekur, që janë ekspozuar në muret e Qendrës Informative Kulturore, në Shkup.

Inspirimin për këto vepra, që janë mirëpritur nga publiku dhe kritikët e artit, artistja kosovare thotë se e ka gjetur te kalendari diellor i Majave dhe te trashëgimia kulturore shqiptare.

“Këto vepra arti janë të punuara gjatë dy viteve, respektivisht gjatë dy verave, kur kisha ndarë mendjen të punoja në artin e qeramikës. Fillimisht u inspirova nga kalendari i Majave, pastaj nga bregdeti shqiptar, ku unë kaloj gjysmën e vitit, dhe nga çdo gjë e bukur që na rrethon”, tha Blerta Surroi, artiste.

Në hapjen e kësaj ekspozite, publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, i vlerësoi si unike veprat e artistes kosovare.

“Simbolika qendron edhe te teknika që përdor Blerta, për shembull qeramika. Kjo do të thotë ta ngjeshësh tokën, ta ngjeshësh atë që i gëlltit të gjitha ëndrrat, fatet tona, të gjitha orvatjet tona, të gjithë artin tonë, që e bartin në vete dhe mbi të, të shtrosh punën tënde krijuese, nga ku do të dalin këto vepra që kemi”, tha Kim Mehmeti, publicist.

Kjo është hera e parë, që këto vepra dalin jashtë Kosovës. Artdashësit nga Maqedonia do të kenë mundësi t’i shohin këto punime të rralla brenda tre ditëve, për sa kohë do të qëndrojë e hapur ekspozita. Artistja kosovare ka paralajmëruar se të njëjtat vepra do t’i ekspozojë edhe në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA