Nga Zvicra në SHBA, fëmijët mësojnë shqip

15/09/2014 00:00

Zvicra është vendi, ku fëmijët shqiptarë mësojnë gjuhën shqipe më mirë se në të gjitha shtetet e tjera, ku ka emigrantë shqiptarë.

Shkollat shqipe në Zvicër funksionojnë në kuadër të shkollave kantonale. Organizimi i mësimit plotësues për gjuhën shqipe bëhet në infrastrukturën shkollore zviceriane.

Janë mbi 100 mësues të punësuar nga “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Zvicër. Përveç pesë prej tyre, që i dedikohen vetëm kësaj pune, pjesa tjetër angazhohet me kohë jo të plotë në mësimdhënien e gjuhës shqipe.

Sa i përket financimit, prindërit janë ata që paguajnë dhe rrogat e arsimtarëve merren nga Kryesitë Kantonale të shkollave shqipe. Sipas mësuesve të shkollës, numri i fëmijëve që ndjekin shkollën shqipe nuk përfaqëson as 10% të nxënësve shqiptarë në Zvicër.

Por, edhe fëmijët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kurset e tyre të gjuhës shqipe.

Në Worcester u hap shkolla shqipe, ku kishte 35 nxënës dhe katër mësues me pagesë simbolike. Kjo shkollë u mbyll për mungesë fondesh dhe aktualisht, në përkujdesjen e Kishës shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, u hap shkolla “Fan Noli”, që vazhdon edhe sot.

Top Channel