Dita e parë e shkollës për Ejonën, një betejë e fituar

15/09/2014 00:00

Ejona Hoxha është nxënësja më e veçantë në shkollën “Nënë Tereza” në Durrës. Sot, në ditën e saj të parë të mësimit, ajo shoqërohet nga mamaja Suela, personi që ka këmbëngulur më fort që e bija, e cila ka sindromën “Down”, të shkollohet si të gjithë fëmijët e tjerë.

“Jam shumë e emocionuar, për mua është një ëndërr që realizohet. E kam pritur me shumë ankth këtë ditë dhe ja ku erdhi, tashmë me shumë emocione. Po, është një punë e gjatë, sistematike, Ejona është lodhur shumë, por më në fund e fitoi betejën e vet”, shprehet mamaja Suela.

Por, pavarësisht vështirësive, Suela ia ka dalë mbanë, që Ejona ta mirëpresë këtë eksperiencë, si çdo bashkëmoshatar i saj.

“Emrin e kam Ejona, po shkoj në klasën e parë dhe jam shumë e gëzuar. Shpresoj të bëj shumë shokë e shoqe”, shprehet e lumtur nxënësja e re e shkollës “Nënë Tereza”.

Mësuesja Merita është një arsimtare me përvojë dhe e përkushtuar, e gatshme t’i krijojë një ambient të ngrohtë e të përshtatshëm Ejonës. Nxënësja e saj nuk e ka harruar buqetën me lule për të, ritualin mbase më të bukur të kësaj dite.

Suela e shoqëron të bijën deri te klasa, për t’ia besuar atë më pas mësueses dhe shokëve.

Ejona tashmë është gati për mësimin e parë të saj.

Sfida e parë e Ejonës u kalua me sukses. Tashmë atë e presin të tjera sfida, ku me përkushtimin e të gjithëve, vogëlushja do t’ia dalë gjithmonë mbanë…

Top Channel