Konkurs per nepunesit e administrates

12/09/2014 00:00

Vendet e lira në administratën publike do të plotësohen gjatë muajit tetor përmes konkursit. Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito deklaroi se do të synohet ndërtimi i një administrate moderne që do të negociojë së shpejti anëtarësimin e Shqipërisë me BE-në.

“Administrata e ardhshme do të nisë negociatat me BE-në. Negociatat janë tepër ekzigjente, strikte dhe profesionale dhe nëse s’kemi profesionalizëm, është e pamundur të kemi negociata”, tha Harito.

Sipas ministres, konkursi do të jetë korrekt pasi mekanizmi i ofruar nga ligji i ri nuk krijon hapësira për punësime klienteliste.

“Është kandidati ai që do të zgjedhë se në cilin pozicion do të shkojë. I pari për 10 vendet e lira, i dyti për 9 vendet e tjera e kështu me radhë. E ka të pamundur drejtuesi i institucionit të thotë dua këtë person në këtë vend, vetëm sepse është në listë. Gjithashtu, kemi futur teknologjinë e informacionit në mënyrë që testet të lënë gjurmë dhe procedura të jetë sa më pak e diskutueshme”, shtoi Harito.

Top Channel