
E lënë disi në hije prej ISIS-it, të cilin edhe ajo vetë e cilëson tepër gjakatar, al-Kaeda del sërish në dritë me mesazhin-video të udhëheqësit të saj Ayman al-Zawahiri, i cili lajmëron krijimin e degës së grupit militant në Indi.
Qëllimi, sipas al-Zawahirit, është ngritja e “flamurit të xhihadit” në të gjithë Azinë Jugore. Në videon 55-minutëshe, njeriu që zuri vendin e Osama bin Ladenit në krye të rrjetit terrorist, u zotua për besnikëri ndaj liderit taleban afgan, Mullah Omar; një angazhim ky për aleancë, që shpërfill militantët e Shtetit Islamik në Irak e Levant.
“Al-Kaeda është një entitet i krijuar për të përhapur thirrjen e sheikut Osama bin Laden, Allahu pastë mëshirë për të. Dega e saj në Indi do të jetë një lajm i mirë për muslimanët në Birmani, Bangladesh e në shtetet indiane të Asamit, Guxharatit, Xhamusë dhe Kashmirit, të cilët do të shpëtohen nga shtypja dhe padrejtësia”, tha Ayman al-Zawahiri, lider i al-Kaedës.
ISIS-i është forcuar ngadalë, duke u ngritur deri në nivelin e grupit terrorist më të rrezikshëm të momentit, e duke sfiduar dhe vet al-Kaedën përsa i takon udhëheqjes së militantizmit islamik.
Shfaqja e al-Zawahirit, përveç se një lloj sfide për ISIS-in, shihet edhe si përpjekje për rekrutime të reja në radhët e një lëvizjeje të eklipsuar nga një grup edhe më i fuqishëm xhihadist.
Deri tani nuk ka pasur prova të një pranie të al-Kaedës në Indi. Grupet militante islamike që veprojnë atje janë më së shumti të lidhur me separatistët në Kashmir, si dhe organizatat me bazë në Pakistan.
Top Channel