Të gjithë personat që mbajnë statusin e nëpunësit civil do të kalojnë në sitën e Departamentit të Administratës Publike për të verifikuar dosjet personale.

Detajet e këtij procesi ku priten të skanohen 9,000 nëpunës në përputhje me legjislacionin e ri për shërbimin civil, I jep në një intervistë për Top-Channel zonja Albana Kociu, drejtoresha e përgjithëshme e Departamentit të Administratës publike.

“Çdo nëpunës civil do të ketë dosjen e tij. Për këtë qëllim, Departamenti i Administratës Publike aktualisht ka verifikuar 9000 punonjës, që tashmë janë pjesë e ligjit të ri të Shërbimit Civil. Prej tyre një pjesë kanë rezultuar që nuk plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë pjesë e Shërbimit Civil dhe Administratës Publike, ndaj dhe duhet të lirojnë vendet e punës. Kemi rreth 120 punonjës, të cilët nuk plotësojnë nivelin e duhur të arsimit të lartë, që do të thotë se janë me shkollë të mesme. Gjithashtu kemi rreth 170 punonjës që kanë lidhur marrëdhënie pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit të Shërbimit Civil, që do të thotë pas datës 26 Shkurt. Në këtë kuptim marrëdhëniet e tyre janë jo të ligjshme, jo të rregullta, dhe nëse dëshirojnë të plotësojnë kriteret ftohen të aplikojnë në vendet e lira që DAP ka shpallur aktualisht dhe do të shpallë në vijim. Më tej kemi edhe 102 punonjës ekzistues, të cilëve do t’iu jepet një peridhë dyvjeçare, kohë e nevojshme për të plotësuar kriterin e nivelit master profesional apo master shkencor, që kërkon vendi i punës”, u shpreh drejtoresha e DAP, Albana Koçiu.

Drejtoresha e DAP shpjegon edhe mekanizmin e përzgjedhjes së kandidatëve fitues.

“Vlerësimi do të bëhet nga një komitet i posaçëm, i ngritur jo më shumë se 24 orë përpara fillimit të procedurës së konkurrimit. Përsëri një risi e ligjit është fakti që lista e fituesve do të administrohet nga DAP, do të ftohen fituesit që të zgjedhin vendet për të cilat kanë aplikuar, pra ndryshe nga ligji i mëparshëm apo historiku i mëparshëm, ku ishin titullarët e institucioneve që përzgjidhnin ndër fituesit, janë fituesit ata që tashmë do të përzgjedhin ndër vendet e lira për të cilat ata kanë konkurruar. Do të jetë DAP ai që do të administrojë listën e fituesve, e më pas do të ftojë fituesit të zgjedhin ndër vendet e lira”, konfirmoi më tej zonja Koçiu.

Sipas zonjës Koçiu, DAP është duke punuar që, në mënyrë elektronike, të kryhet procedura e vlerësimit të aplikantëve, për të mos i lënë asnjë mundësi subjektivizmit, të asnjë natyre, në vlerësimin e testimeve. Publikimet e vendeve të lira të punës, thekson drejtoresha e DAP, do të vazhdojnë sipas standardeve reale të konkurrencës, meritës e profesionalizmit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta