Obama nis turin në Europë

03/09/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ndodhet në Estoni, në fillim të turneut katërditor në “kontinentin e vjetër”, përgjatë të cilit do të garantojë edhe njëherë aleatët e NATO-s për mbështetjen aktive të Uashingtonit, teksa tensionet mbi rolin e Rusisë në Ukrainë vazhdojnë të rriten.

Vetëm një vit më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë u thoshte liderëve të vendeve Baltike se angazhimi i Aleancës Atlantiko-Veriore për sigurinë e tyre është i palëkundur.

Ndalesa në kryeqytetin estonez synon përforcimin e këtij mesazhi, ndërsa Vladimir Putinit kërkon t’i dërgojë sinjale se duhet të frenohet nga përzierja e mëtejshme në rajon.

Përpos bisedimeve me Presidentin e Estonisë, në Talin, Obama do të takojë edhe krerët e shteteve të Letonisë dhe Lituanisë. Takimet, 200 kilometra larg kufirit rus, zhvillohen në përgjigje të shqetësimeve në rritje rreth përfshirjes së ushtrisë ruse në konfliktin në Ukrainë, si dhe kërcënimet e mundshme ruse ndaj këtyre tre ish-republikave sovjetike.

Në një deklaratë përpara nisjes, Obama e shpjegoi shumë thjesht qëllimin e këtij rrugëtimi.

“Ndalesa në Estoni synon t’i tregojë njerëzve atje se i qëndrojmë deri në fund pohimeve tona dhe se i mbështesim fjalët me vepra, në lidhje me detyrimet që kemi ndaj traktatit”, u shpreh Presidenti Obama.

Estonia përbën një ndalesë në rrugën e Obamës për në samitin e NATO-s në Uells. Dëshira e këtij vendi është që Presidenti amerikan të angazhohet për një shtim të prezencës së NATO-s, por se sa do të ndodhë vërtet, kjo mbetet për t’u parë.

Situata e Ukrainës ka mbjellë shqetësim edhe tek estonezët, letonezët, lituanezët e polakët, që druhen se, ashtu siç bënë me vendin fqinj, trupat e Putinit mund të kalojnë në çdo çast edhe kufirin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB