Obama: NATO, projekt për Ukrainën

03/09/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama, i cil ndodhet në Estoni, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë homologut Vladimir Putin, duke i thënë që “të qëndrojë larg”.

Qëllimi i vizitës së kreut të Shtëpisë së Bardhë në Talin është i qartë pasi tregon mbështetjen e Amerikës jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe për Europën Lindore.

Në fjalimin e tij, Obama i mëshoi idesë për paqe dhe shtoi se mbështetja që Putin po i bën rebelëve pro-rusë nuk i jep atij akses territorial kudo në kontinentin e vjetër.

Vizita e presidentit të Shteteve të Bashkuara në Europë vjen para samitit të NATO-s, i cili ndër të tjera ka prioritare çështjen e tensionuar midis Kievit dhe Moskës.

“Një nga qëllimet tona në samitin e Uellsit është krijimi i një projekti të përbashkët, në emër të përpjekjeve të Ukrainës për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Rusia po paguan një çmim të shtrenjtë për ndërhyrjet ushtarake nëpërmjet sanksioneve perëndimore, por ne nuk do të ndalemi me kaq. Unë dua të shtoj se shumë vende anëtare të NATO-s duhet të kalojnë shifrën prej 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto në fushën e mbrojtjes, për ta mbajtur NATO-n të fortë ekonomikisht”, deklaroi Obama.

Më herët përfaqësues të NATO-s deklaruan se Aleanca Euro-Antantike do të vendosë për herë të parë baza në lindje të Europës me qëllim ruajtjen e sigurisë. Lidhur me këtë çështje Obama u shpreh se Amerika do të mbështesë çdo veprim që do të zyrtarizohet nga aleatet e NATO-s.

Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin thotë se po bën përpjekje për armpushim, por asgjë nuk duket të jetë në vijë pasi forcat qeveritare të Kievit nuk i kanë larguar trupat nga lindja e vendit. Këto pretendime hidhen poshtë nga presidenti Poroshenko, i cili thotë se Ukraina është kthyer në një peng lufte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB