Korrupsioni shkakton miliona të vdekur

03/09/2014 00:00

Rreth 1 trilion dollarë në vit u rrëmbehet vendeve të varfra dhe miliona jetë njërëzish humbasin për shkak të korrupsionit. Ky është rezultati i një studimi të aktivistëve.

Një raporti i organizatës me seli në SHBA kundër varfërisë, “One”, bën të ditur se progresi i madh i bërë gjatë dy dekadave të fundit në luftimin e varfërisë ekstreme, tashmë vihet në rrezik prej korrupsionit dhe krimit.

Aktivitetet korruptive përfshijnë përdorimin e firmave fantazmë dhe pastrimin e parave. Raporti fajëson gjithashtu korrupsionin, si shkaktar të 3,6 milionë vdekjeve çdo vit.

Nëse do të ndërmerren hapa për t’i dhënë fund fshehtësisë, që lejon korrupsionin të lulëzojë, dhe nëse të ardhurat e rikuperuara do të investoheshin në shëndetësi, grupi përllogarit se shumë prej këtyre vdekjeve mund të parandalohen në vendet me të ardhura të pakta.

“One” e përshkruan këtë studim si “një skandal triliona dollarësh”.

“Korrupsioni pengon investimet private, redukton rritjen ekonomike, rrit koston e të bërit biznes dhe mund të çojë në destabilitet politik”, thuhet në raportin e “One”.

“Por, në vendet në zhvillim korrupsioni është një vrasës. Kur qeveritë janë të deprivuara për t’i investuar burimet e veta në kujdes shëndetësor, sigurinë ushqimore apo infrastrukturën bazë, kjo gjë shkakton humbjet e jetëve, teksa më së shumti preken fëmijët”.

“One” nxit liderët e G-20, të cilët do të takohen në një takim në Australi gjatë Nëntorit, të marrin masa të ndryshme për të luftuar këtë problem, përfshi edhe bërjen publike të informacioneve rreth pronarëve të kompanive, në mënyrë që të shmanget përdorimi i tyre për të pastruar parà apo për të fshehur identitetin e kriminelëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB