Kievi akuza Moskës: Forcat ruse depërtuan në rajonin e Sumy-t dhe rrëmbyen rreth 50 civilë Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka arritur një marrëveshje gjatë së mërkurës me homologun e tij rus, Vladimir Putin, mbi një “armëpushim të përhershëm” në rajonin lindor të Ukrainës, Donbass, ku përfshihen Donjecku dhe Sloviansku.
Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate zyrtare nga zyra e shtypit të Presidentit ukrainas.
“Mirëkuptimi i ndërsjelltë është arritur sa i përket hapave që do të mundësojnë rivendosjen e paqes”, lexohej në deklaratën e publikuar, që thekson se gjithçka është arritur pas një bisede telefonike mes Poroshenkos dhe Putinit.
Separatistët pro-rusë janë duke luftuar ndaj forcave të Kievit në rajonin kryesisht rusisht-folës të Donbassit, në të cilin është ngritur thuajse pjesa më e madhe e industrisë së rëndë të Ukrainës, e që përbën rreth 18% të Produktit të Përgjithshëm Bruto të vendit.
“Biseda e tyre përfundoi me një marrëveshje mbi një armëpushim të përhershëm në rajonin Donbass (Donjeckt dhe Luhansk)”, deklaron zyra e tij. “Tashmë priten hapat e mëtejshëm që do të çojnë drejt paqes”.
Njoftimi vjen në kohën kur Presidenti amerikan Barack Obama do të takohet me liderët e vendeve Baltike në Estoni, përpara një samiti të përgjithshëm të NATO-s. Ai pritet të flasë gjatë së mërkurës në Talin me Presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të treja këto ish-republika sovjetike, të cilat janë bashkuar me NATO-n një dekadë më parë.
Samiti i NATO-s në Uells pritet të mbështesë planin për një forcë të kundërpërgjigjes së shpejtë. Më shumë se 2600 civilë dhe luftëtarë kanë vdekur dhe më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, që kur luftimet nisën në Lindje të Ukrainës në muajin Prill, kur separatistët pro-rusë deklaruan në këto rajone pavarësinë nga Kievi.
Rusia nuk përmend gjë armëpushim
Interfax: Putin ka rënë dakord për rrugën drejt paqes, jo armëpushim
Më herët, zëdhënësi i Putinit, i cituar në Moskë nga agjencia e lajmeve “Interfax”, është shprehur se lideri i Rusisë dhe Poroshenko kishin arritur përgjithësisht, përmes bisedës telefonike, atë se çfarë duhet bërë për të zgjidhur krizën 6-mujore të Ukrainës.
Zëdhënësi Dmitry Peskov nuk dha detaje apo nuk iu referua drejtpërdrejt ndonjë marrëveshjeje për armëpushim. E megjithatë, reagimet e para nga forcat ukrainase duken të përmbajtura.
“Në një moment, gazetarët më thanë për një armëpushim, por u sulmuam dy herë radhazi”, tha Serhiy Melnichuk, komandant i batalionit të milicëve vullnetarë Aidar në Donbass.
“Ende nuk kemi marrë urdhra. Rusia duhet të largojë forcat e saj nga territori ynë. Të gjithë bashkë duhet t’i japim fund kësaj masakre, pasi po shkatërrojmë kombin tonë”.
“Interfax” citoi gjithashtu një lider të separatistëve në Donjeck, qyteti më i madh në rajonin Donbass, se rebelët pro-rusë janë gati të ndalin operacionet ushtarake të tyre, nëse Kievi pranon armëpushimin.
Top Channel