Kievi akuza Moskës: Forcat ruse depërtuan në rajonin e Sumy-t dhe rrëmbyen rreth 50 civilë Rusia do të ndryshojë doktrinën e saj ushtarake si pasojë e krizës së Ukrainës dhe pranisë së NATO-s në lindje të Evropës, ka deklaruar një ushtarak i lartë rus.
Mikhail Popov, këshilltar pranë Kremlinit, deklaroi se përkeqësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n do të reflektohet në përditësimin e strategjisë ushtarake.
NATO deklaroi të hënën se do të rrisë praninë e saj në Evropën lindore për të mbrojtur vendet anëtare. Ndërkohë, trupat ukrainase vazhdojnë betejën me rebelët pro-rusë në lindje të vendit.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes akuzoi të hënën Rusinë se i ka dhënë jetë “një lufte të madhe” që mund të marrë dhjetëra mijëra jetë. Akuzat janë hedhur poshtë nga Rusia, që mohon mbështetjen për rebelët.
Zoti Popov, nënsekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, tha për agjencinë ruse të lajmeve “Ria” se NATO po përkeqëson tensionet me Rusinë.
“Infrastruktura ushtarake e vendeve anëtare të NATO-s po i afrohet kufijve rusë, duke përbërë një nga kërcënimet kryesore të jashtme ndaj Rusisë”, tha ai. Megjithatë, zyrtari rus nuk dha detaje mbi ndryshimet e mundshme të doktrinës.
NATO njoftoi të hënën planet e saj për formimin e një trupe të reagimit të shpejtë për të mbrojtur vendet anëtare në Evropën lindore kundër një agresioni të mundshëm të Rusisë. Masat e reja pritet që të miratohen në një samit të Aleancës që do të mbahet këtë javë në Uells të Britanisë së Madhe.
Top Channel