
Izraeli ka deklaruar se do të shpronësojë 4 kilometra katrorë tokë palestineze në Bregun Perëndimor. Vendimi për të përvetësuar jugun e Betlehemit mendohet të jetë konfiskimi më i madh nga Izraeli në 30 vjet.
Administrata lokale deklaroi se kjo është një përgjigje ndaj rrëmbimit dhe vrasjes së tre adoleshentëve izraelitë në këtë zonë në muajin qershor.
Palestinezët deklaruan se ndaj Izraelit duhet ndërmarrë veprime diplomatike dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje shtetit hebre që të kthejë mbrapsht planin.
Një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon deklaroi se ishte alarmuar nga vendimi i Izraelit.
“Konfiskimi i një sipërfaqeje kaq të madhe toke rrezikon të hapë rrugën për kolonizime të reja, veprim që është tërësisht ilegal në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe që bie ndesh me zgjidhjen me dy shtete”, thuhet në një deklaratë.
Edhe sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond deklaroi se ndjen keqardhje për vendimin dhe i bëri thirrje Izraelit që ta tërheqë atë.
Vendimi u komunikua në ditët e fundit nga departamenti i ushtrisë izraelite, përgjegjës për administrimin e çështjeve civile në Bregun Perëndimor.
Marrja nën kontroll e kësaj sipërfaqeje në zonën Gush Etzoin hap rrugën për zgjerimin e kolonive izraelite, të njohura me emrin “Gevaot”.
Top Channel