ISIS i rikthehet pjesës më të egër të propagandës së tij të terrorit: ekzekutimeve të tmerrshme me prerje koke, viktimat e të cilave kanë qenë 5 peshmerga kurdë, mes tyre dhe tri femra.
I njëjti fat iu ishte rezervuar edhe 4 arabëve sirianë. Jo pa qëllim, militantët e dhunshëm të Shtetit Islamik i kryen vrasjet në afërsi të Kobanes, qyteti kufitar me Turqinë, ku luftëtarët kurdë janë përfshirë prej ditësh në përleshje të ashpra me xhihadistët e ISIS-it.
Fotot e ekzekutimeve janë publikuar në internet. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se 9 luftëtarët ishin zënë rob gjatë luftimeve në Kobane.
Sipas këtij organizmi, militantët i kanë vendosur kokat e prera të grave në një bllok çimentoje e më pas i kanë fotografuar, ndërsa fotot i postuan nëpër rrjete sociale. Ka shumë gra, që luftojnë përkrah burrave në njësitë për mbrotjen e popullatës kurde, të njohura ndryshe si “YPG”, e që zyrtarisht përbëjnë krahun e armatosur të grupit kryesor politik kurd në Siri.
ISIS duket i vendosur në përpjekjet për marrjen e Kobanes, megjithë sulmet e Perëndimit që shënjestrojnë në mënyrë të vazhduar pozicionet e tij. Përgjatë muajit Shtator, ekstremistët e Shtetit Islamik kanë marrë nën kontroll disa fshatra kurde në afërsi të kufirit me Turqinë, e kane detyruar shpërnguljen e mijëra banorëve.
Kurdët druhen se ISIS, si grup militant sunit, nuk i konsideron ata muslimanë, ndaj është i prirur t’i godasë ashtu siç ka bërë edhe me Yazidit e minoritete të tjera fetare.
Top Channel