Britani, xhihadistëve do t’u tërhiqet pasaporta

02/09/2014 00:00

Tërheqje e pasaportës, më shumë kontrolle në trafikun ajror dhe ndjekje e personave të dyshuar se duan të aderojnë në xhihadin në Siri dhe Irak.

Kryeministri britanik David Cameron ka njoftuar në Dhomën e Deputetëve masat e reja anti-terrorizëm, pasi autoritetet britanike kanë ngritur në nivelin maksimal alarmin për atentate, nga frika e sulmit nga militantët britanikë të stërvitur nga luftëtarët sunitë në Siri dhe Irak.

“Do të sjellim një legjislacion të posaçëm, që do t’i japë policisë kompetenca të përkohshme për t’i sekuestruar pasaportën në kufi të dyshuarit për terrorizëm dhe për ta hetuar atë”, ka deklaruar Cameron.

Kryeministri ka theksuar se, pasaporta nuk është një e drejtë automatike dhe për rrjedhojë mund të tërhiqet nga Ministria e Brendshme.

“Aktualisht policia nuk mund ta konfiskojë pasaportën në kufi dhe qeveria tani do t’ia japë këtë kompetencë”, ka saktësuar Cameron.

Ai ka shtuar më tej se është e nevojshme që xhihadistëve britanikë që aktualisht janë në Lindjen e Mesme t’u ndalohet mundësia që të kthehen në atdhe.

“Autoritetet kanë nevojë për kompetenca të posaçme për t’i ndalur. Qeveria po punon në këtë drejtim për të gjetur një zgjidhje në përputhje me ligjet ekzistuese”, ka thënë shefi i Downing Street.

Cameron e ka cilësuar si “të tmerrshëm” faktin që qytetarët britanikë kanë shpallur aleancën e tyre me Shtetin Islamik dhe prandaj kabineti i tij po merr masa specifike që do t’u ndalojë atyre kthimin në Mbretërinë e Bashkuar.

“Kemi nevojë për një qasje të rreptë, inteligjente dhe komplekse, që duhet të realizohet me durim për të mposhtur kërcënimin terrorist deri tek rrënjët e tij”, ka shtuar ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB