Kievi akuza Moskës: Forcat ruse depërtuan në rajonin e Sumy-t dhe rrëmbyen rreth 50 civilë Terrori i mbjellë nga ISIS në të gjitha zonat veriore të Irakut është konsideruar pjesë e fushatës së grupit ekstremist për një kalifat islamik në këtë rajon e Siri.
Tani Amnesty International thotë se ka prova të reja që dëshmojnë qartë se militantët kanë ndërmarrë “një valë spastrimi etnik” kundër minoreteteve atje. Për grupin e të drejtave të njeriut, ISIS-i e ka kthyer zonën “në një tërësi fushash të mbytura në gjak”.
“Gjatë muajit gusht, në rajonin verior të Sinjarit janë kryer një sërë vrasjesh në masë. Dy episodet më të rënda ishin ato të datës 3 dhe 15 gusht, kur luftëtarët e ISIS-it mësynë fshatrat dhe vranë me qindra vetë. Grupe burrash e djemsh, përfshirë edhe fëmijë të moshës 12 vjeç janë marrë prej militantëve e janë ekzekutuar. ISIS-i po kryen krime makabre dhe të gjitha zonat rurale të Sinjarit i ka transformuar në fusha të mbuluara nga gjaku në fushatën e tij brutale për të zhdukur çdo gjurmë të atyre që nuk janë arabë dhe myslimanë sunitë”, thotë raporti i AI.
Më herët, paraushtarakët irakene shiitë dhe forcat kurde arritën të thyejnë rrethimin dymujor të qytetit të Amerlit nga ISIS-i. Bashkë me rebelët sunitë aleatë të tij, ky i fundit ka sot nën kontroll pjesë të mëdha territori në Irak e në Siri.
Me mijëra vetë janë vrarë në muajt e fundit, shumica e të cilëve civilë e mbi një milion të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Të hënën, Kombet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë një ekip në Irak për të hetuar mbi ato që i cilësoi “akte çnjerëzore në një shkallë të pareçedentë”.
Ndihmës komisionerja për të drejtat e njeriut, Flavia Pansieri tërhoqi vëmendjen mbi faktin që ekstremistët janë duke shënjestruar komunitetet e krishtera, ato Yazidi, turkmenët e shiitët në një fushatë persekutimit edhe më brutale se të tjerat.
Kush e financon ISIS-in?
Vetë shefi i Pentagonit Chuck Hagel pak ditë më parë e pranoi se përveçse të mirëorganizuar e të qartë në ide apo qëllime, ekstremistët e ISIS-it janë edhe të mirëfinancuar.
Por, nga vjen kjo mbështetje për grupin e kthyer në emrin e ri të terrorit për botën? Deri tani, për financimin e shtetit islamik në Irak e Levant janë akuzuar disa vende të Gjirit Persik. Ekspertët megjithatë shpjegojnë se në luftë, jo çdo gjë është e qartë si drita e diellit. Shumë është shkruar e thënë për donacione e simpatizantë të ISIS-it në Katar, Turqi dhe Arabinë Saudite. Madje disa i bëjnë këto shtete fajtorët e vetëm për ekzistencën e grupti ekstremist. E vërteta, thotë BBC, është pak më e ndërlikuar se kaq. Në Gjirin Persik ka individë të pasur që kanë financuar lëvizje të tilla në Siri; shumë kanë dërguar çanta të tëra me para’ në Turqi duke dorëzuar miliona dollarë njëherësh.
Në vitin 2012 dhe 2013, kjo ka qenë një praktikë tepër e përhapur pune, por që atëherë është zbehur mjaft dhe aktualisht përbën vetëm një përqindje shumë të vogël të parave që kanë përfunduar në xhepat e ISIS-it këtë vit. E vërtetë është edhe se me bindjen që Bashar Al-Assadi do të rrëzohet shumë shpejt, Arabia Saudite e Katari u kanë dhënë para’ me grushta personave me kredenciale të forta islamike. Liva al-Tavhid, Ahrar al-Sham, Jaish al-Islam ishin grupime të vogla që përfituan kësisoj falë lidhjeve me lëvizjen e konsideruar si më e ashpra për kohën: fronti Al-Nusra, krahu i Al-Kaedës në Siri.
Por, kur nisi rritja e pandalshme e shtetit islamik në vitin 2013, të gjithë këto grupe filluan të zhduken ose thjesht vendosën të bashkoheshin me atë që duket si ekipi fitues.
Kush e financon pra ISIS-in? Për ekspertët, çështja është më e thellë sesa thjesht akuzat për njërën qeveri apo tjetrën. Lidhjet fetare dhe simpatia për një grup që vepron kundër interesave shiite të Iranit në rajon e gëzon njëkohësisht edhe mbështetjen e heshtur të shumë njerëzve atje, është një pohim që lëshohet me shumë ngurrim. Aktet barbare të ISIS-it vështirë të gjejnë mbrojtje, por objektivi i tij i krijimit të një kalifati ka tërhequr padyshim më shumë vëmendje nga sa mund të pretendohet në disa prej skajeve të mendimit islamik.
Top Channel