Varur në 828 metra, punëtorët nepalezë pastrojnë ndërtesën më të lartë në botë në Dubai
Forcat ukrainase u tërhoqën nga pika strategjike e aeroportit të Luhanskut pas luftimeve të ashpra me rebelët pro-rusë gjatë gjithë natës.
Lajmi u njoftua nga zyrtarë të lartë të Kievit që thanë se trupat e tyre të vendosura në aeroport prej disa javësh, ishin vënë në shënjestër të një zjarri të paprecedentë të një kolone tankesh ruse.
Humbja e kontrollit të aeroportit të Luhanskut është disfata më e madhe e ushtrisë ukrainase ditët e fundit, ku ka humbur terren në luftimet ndaj separatistëve.
Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se është e përfshirë drejtpërdrejtë në konflikt duke furnizuar me armatime të lehta dhe të rënda rebelët por edhe me ushtarë. Inteligjenca ukrainase beson se 4 deri në 5 mijë ushtarë rusë veprojnë në krah të rebelëve në Donetsk dhe Luhansk, ndërsa SHBA e ul këtë numër në 2 mijë.
Rusia mohon akuzat e Kievit dhe të Perëndimit, po ky mohim nuk ishte bindës për udhëheqësit e Bashkimit Europian që në takimin e së shtunës në Bruksel vendosën t’i japin një javë kohë Moskës për të ndryshuar kursin e sjelljes ndaj konfliktit në Ukrainë për të shmangur raundin e katërt të sanksioneve, që këtë herë paralajmërohen më të ashpra.
Presidenti ukrainas përshëndeti vendimin e BE-së dhe tha se aplikimi i këtyre sanksioneve do të vendoset në bazë të suksesit të planit të tij të paqes që propozohet të hënën në Minsk ku është mbledhur i ashtuquajturi “Grupi i Kontaktit”, pjesë e të cilit janë Bjellorusia, Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja.
Gjatë takimit të Minskut, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe për Moskën hapin e parë duhet ta ndërmarrë Kievi duke tërhequr trupat nga të gjitha zonat ku rrezikohet jeta e popullsisë civile.
“Shpresojmë që bisedimet e Minskut të fokusohen tek arritja e një armëpushimi të menjëhershëm e të pakushtëzuar. Nuk do të ketë asnjë ndërhyrje ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Ne jemi për zgjidhjen paqësore të kësaj krize të rëndë”, tha Lavrov.
Që nga fillimi i luftimeve në muajin prill bilanci i vdekjeve në Ukrainën lindore shënon 2.600 vetë. Konflikti shpërtheu pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska në mars e që atëherë situata nuk ka njohur veçse përshkallëzim. Bisedimet e drejtpërdrejta të javës së kaluar mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij rus, Petro Poroshenko, nuk prodhuan asnjë rezultat të qenësishëm.
Këto ditët e fundit, separatistët kanë fituar terren përballë forcave qeveritare në Donjeck, Luhansk e më në jug, përreth portit të Mariupolit. Takimi i të ashtëquajturit Grupi i Kontaktit në Minsk përfshin dhe përfaqësues të organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Europë. Në vigjilje të bisedimeve, shefi i Kremlinit Putin deklaroi se duhet diskutuar mundësia e “shtetësisë” për Ukrainën lindore për t’u siguruar, siç tha ai, se do të mbështetet interesi i banorëve lokalë.
Top Channel